Një zjarr ka shpërthyer mbrëmë në një fabrikë në Eichfeld të Gjermanisë, e për pasojë një person ka marrë lëndime të rënda nga djegia dhe gazi helmues. Zjarri është përhapur edhe në shtëpitë ngjitur ndërsa shuarja e tij, sipas policisë, pritet të zgjasë gjatë gjithë natës, shkruan “eisfeldernachrichten.de”.
Shpërthimi i zjarrit ka ndodhur rreth orës 19.30 kur kalimtarët kishin alarmuar zjarrfikësit.
Ndërkohë, dy burra nga Kosova nuk kanë pritur dhe kanë hyrë përmes flakëve të shtëpisë që po digjej prej nga kanë nxjerrë jashtë një banor 69-vjeçar, përcjell “albinfo.ch”.
Personi i shpëtuar është transportuar në një klinikë speciale në Hanover me lëndime të rënda nga djegia dhe nga gazi helmues.
Dy shpëtimtarët, njëri 41 dhe tjetri 44 vjeç kanë pësuar lëndime të lehta si pasojë e gazit helmues. Ata janë trajtuar në një klinikë në mënyrë ambulatore.
Nga ky zjarr nuk ka pasur të lënduar të tjerëm, por vlera e dëmeve materiale përllogaritet në mbi 100 mijë euro.





