Një shitës ambulant nga Shijaku është konfliktuar me Policinë Bashkiake të Durrësit, e cila ka dashur ta ndalojë të vazhdonte të tregtonte në trotuar.

Ngjarja e regjistruar në lagjen nr.12 të qytetit të Durrësit, një ditë më parë, ka pasur për protagonistë një 31-vjeçar nga Shijaku, shitës ambulant, dhe punonjësit e policisë Bashkiake të Durrësit.

Këta të fundit, paraditen e djeshme, rreth orës 11.00, kanë qenë duke inspektuar trotuaret në afërsi të tregut për të ndaluar aktivitetin e të gjithë shitësve ambulantë, që tregtojnë jashtë hapësirave të aprovuara nga bashkia e qytetit bregdetar.

Kur kanë konstatuar praninë e 31-vjeçarit F.K., ata i kanë kërkuar atij të mblidhte produktet dhe të largohej, sepse nuk mund të tregtonte aty.

Por kërkesës së Policisë, i është kundërvënë këmbëngulja e 31-vjeçarit nga Shijaku për të vazhduar ushtrimin e aktivitetit të tij tregtar.

Në këto kushte, policët bashkiakë e kanë referuar rastin pranë kolegëve të tyre të rendit, të cilët kanë nisur procedimin penal ndaj të riut.

Mësohet se 31-vjeçari nga Shijaku akuzohet për veprën penale "Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik ", parashikuar në nenin 235 të Kodit Penal.