Zbardhen detaje nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmë në Bërzhitë, kur një grua që jetonte e vetme është gjetur e mbytur në banesë.

Sipas të gjitha dëshmive e provave në vendin e ngjarjes, rezulton se krimi është kryer nga dy persona që kanë dashur të grabisin banesën e viktimës. Lajmi u bë me dije nga Policia, e cila theksoi se viktima është gjetur me këmbë e duar të lidhura, raporton “Panorama”.

Pista paraprake e ngjarjes është ajo e një grabitjeje të mundshme, referuar mënyrës si është gjetur 74- vjeçarja, por edhe deklarimeve të marra nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes.

Autorët mendohet se kanë hyrë në banesë për të grabitur, por janë pikasur nga viktima, së cilës dyshohet se ia kanë mbyllur gojën me forcë, duke i bllokuar frymëmarrjen për disa minuta me radhë. Për këtë arsye, oficerët e krimeve të grupit të hetimit kanë nisur çështjen penale për akuzën e vjedhjes me dhunë me pasojë vdekjen.

POLICIA PËR NGJARJEN

Policia njoftoi zyrtarisht mbrëmë, pak para mesnatës, se në numrin e emergjencave 112 të sallës operative Tiranë është bërë një telefonatë se në fshatin Mihajas të Njësisë Administrative Bërzhitë, në banesën e saj është gjetur e vdekur shtetasja Fatime Hida, 74 vjeçe.

Burimet zyrtare deklaruan se menjëherë u ngrit grupi hetimor dhe shkoi në vendngjarje, ku nga dëshmitë e fqinjëve rezultoi se ata kanë parë dy persona që dilnin nga shtëpia e viktimës. Për këtë arsye, ata menjëherë kanë njoftuar policinë, pasi e dinin se Fatime Hida jetonte vetëm dhe prania e dy personave u është dukur e dyshimtë.

“Nga këqyrja paraprake e kufomës dyshohet se e moshuara është lidhur këmbë e duar dhe dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e asfiksisë si pasojë e bllokimit të rrugëve respiratore”, kanë bërë me dije burimet e Policisë.

Nga ana tjetër, në banesën ku u gjet pa jetë gruaja 74-vjeçare, ekipi hetimor ka vazhduar këqyrjen deri pas mesnatës. Në banesë është verifikuar nëse autorët kanë kërkuar për para apo sende të çmuara, ndërsa është kontrolluar edhe për gjurmë gishtash apo shenja të tjera identifikuese të autorëve të krimit.

/Panorama/