Policia e Tiranës ka arrestuar ditën e sotme Genis Mëhillajn, 46 vjeç, kushëri i Andon Mëhillajt, të dy të akuzuar për veprat penale të vrasjes së funksionarëve publike dhe ‘qëllime terroriste”.

Genis Mëhillaj punonte si sekser për vrasjet me pagesë. Ai është i përfshirë në dosjen e vrasësit me pagesë Julian Sinanaj.

Mëhillaj, së bashku me Andonin, kanë porositur te Sinanaj vrasjen e një peshkatari për çështje prone.

Kushërinjtë Mëhillaj “peshkonin” biznesmenët e mëdhenj dhe lidhnin marrëdhënie të ngushta miqësore me ta, duke krijuar besim për mosnxjerrje sekreti. Sa herë që biznesmenët ankoheshin për konkurrentët e tyre, Mëhillajt i këshillonin që të ekzekutonin kundërshtarët.

Kjo ishte një punë e lehtë, pasi ai mund të paguante dikë, për eliminimin e kundërshtarit. Nga ana tjetër, ata i siguronin se kishin në varësi një person që e kryen vrasjen me saktësi të madhe, pa lënë asnjë gjurmë në vendin e krimit.

Për të përforcuar idenë, i flisnin edhe për karrierën e pasur kriminale të Julian Sinanajt. Kur biznesmenit i mbushej mendja, se e vetmja rrugëzgjidhje për të shpëtuar nga rivali ishte vrasja, atëherë ai bënte marrëveshje me kushërinjtë Mëhillaj. Mes palëve nisnin bisedimet për pazaret, të cilat ishin të ndryshme, në varësi të personit që do të vritej.

Pas kësaj, Erjon (Andon) dhe Genis Mëhillaj, kontaktonin direkt me Julian Sinanajn. Ata bisedonin për objektivin e radhës, shumën e parave që jepte porositësi për “kokën” e viktimës dhe një fotografi, të shoqëruar me të dhëna personale rreth këtij të fundit. Pasi binin në dakordësi, 31-vjeçari niste procedurat, për të përfunduar me sukses porosinë e radhës, prej së cilës do të merrte një shumë të konsiderueshme parash.

Mësohet se Mëhillajt ishin ura lidhëse mes Julian Sinanajt dhe porositësve. Këta të fundit, në të shumtën e rasteve, nuk kishin kontakte me njëri-tjetrin.