Politika ruse çudit botën e futbollit dhe ai që e bën këtë është deputeti i partisë Liberal Demokrate Igor Lebedev kur theksoi se huliganizmi mund të bëhet sport, një deklaratë kjo që nuk ishte aspak në kuadrin e shakasë.Vitin e ardhshëm në Rusi do të mbahet kampionati Botëror i Futbollit dhe Lebedev duket se ka përgatitur një plan për zhvillimin e “trakas”, që përkthehet “dyluftim”, mes grupimeve prej 20 personash të paarmatosur. Nuk është hera e parë që ky deputet mbështet huliganizmin, më parë ai e bëri këtë gjatë Europianit të Francës vitin e kaluar.
“Rusia mund të bëhet pioniere e një disipline të re sportive”, theksoi Lebedev në faqen zyrtare të partisë së tij. “Tifozët mbërrijnë dhe nisin luftimet mes tyre në një vend në stadium. Luftime që mund të bëhen mes grupimeve me 20 persona të paarmatosur”.Lebedev që është edhe në bordin e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Ruse të Futbollit, vitin e kaluar mori në mbrojtje luftimet mes tifozëve ruse dhe atyre anglezë në Euro 2016, duke i cilësuar si diçka normale, madje arriti deri aty sa deklaroi se nuk ka asgjë të keqe në përplasjet mes tifozëve. Përpara një muaji, huliganët rusë paralajmëruan tifozët anglezë se do të jenë nën shënjestrën e tyre gjatë Kupës së Botës të vitit 2018.