Në komunikimin e përjashëm javor në Facebook, Kryeministri Edi Rama tha sot se opozita shqiptare është e lirë edhe të vetëvritet politikisht, por dera e mazhorancës për dialog mbetet ende e hapur.  

“Natyrisht, opozita është e lirë edhe të vetëvritet politikisht në mes të bulevardit, ku mund ta vazhdojë sa të dojë shfaqen e dëshpërimit të saj, në mungesë të një vizioni, programi, skuadre lidershipi të besueshëm për Shqipërinë. Ne nuk mund të bëjmë gjë tjetër përveçse ta ftojmë dhe riftojmë në rrugën e arsyes dhe dialogut, ku mund të biem dakord për çdo kërkesë realiste të saj”, tha Rama.

“Të thuash sot se dua një herë pushtetin në tavolinë pastaj shohim e bëjmë për vettinun është njësoj si të thuash karrigia ime nuk pret se po fundoset, kurse drejtësia pret edhe 25 vjet të tjera, punë e madhe se demokratët e zakonshëm, njësoj si socialistët e zakonshëm, do vazhdojnë të fundosen në detin e viktimave të korrupsionit dhe të krimit që bëjnë ligjin nëpër gjykata.

Të thuash që çadra ime është populli, atdheu dhe Europa e Amerika dhe të ulërasësh se çdo gjë tjetër përfshirë edhe qëllimet e mira të partnerëve tanë ndërkombëtarë janë, më falni për shprehjen, ‘broçkulla’, është njësoj si të kesh hipur majë një pallati dhe të vësh alarmin se do hidhesh me kokë po nuk të dhanë çelësat e të gjithë pallatit. Ndjesë, po kësisoj ultimatumesh nuk kanë lidhje me demokracinë dhe sistemin pluralist ku qeverinë e cakton populli në zgjedhje, jo një njeri dhe çadra e tij partiake”, tha kryeministri Rama.