Ish-Presidenti dhe kryetari i FRD-së Bamir Topi mohon që të ketë frekuentuar restorantin “Gjoka” në Shijak gjatë kohës që ka mbajtur postin e Kreut të Shtetit. Pas lajmit të publikuar dje nga “Syri.net” se biznesmeni Dashamir Gjoka është mik i afërt me Bamir Topin, ky i fundit thotë se nuk ka pasur asnjëherë kontakte me të.
Të pyetur nga gazeta “TemA” mbi lajmet që akuzonin ish-presidentin për një lidhje me biznesmenin e këtij subjekti, zyra e shtypit e FRD shprehet se nuk ka asgjë të vërtetë rreth këtyre informacioneve të shpërndara.
“Zyra e shtypit e kryetarit të Frymës së Re Demokratike dhe ish-presidentit të republikës Bamir Topi, përgënjeshtron me forcë dhe indinjatëlajmin e portalit Syri.net ku thuhet se z. Topi ka qenë frekuentues i rregullt i Restorantit “Gjoka” në Shijak gjatë kohës kur ishte president i republikës. Më tej shkruhet se pronari i subjektit në fjalë është mik i tij. Asnjëherë të vetme gjatë gjithë periudhës 5-vjeçare z.Topi nuk ka shkelur në atë ambient dhe se nuk e lidh asgjë me pronarin e tij”, nënvizon Fryma e Re Demokratike.
Më tej, kjo forcë politike e konsideron lajmin të nxitur politikisht dhe kërkon nga ana e medias që e publikoi kërkimin e ndjesës për cenimin e imazhit.
“Sa për dijeni, gjatë zgjedhjeve politike të vitit 2013, personi në fjalë ka qenë mbështetës i fortë i Partisë Demokratike dhe kundër interesave politike të FRD-së. Natyrisht fabrikimi i lajmeve të tilla duhet të jetë objekt i organeve të ligjit ku është shumë e thjeshtë për të parë lëvizjet e presidentit gjatë kohës që ka qenë në detyrë. Minimalisht fabrikuesi me background politik duhet të ndjehet në faj për të kërkuar ndjesë. Demokracia është një hapësirë lirie me te cilën askush nuk mund të abuzojë, aq më shumë një media”, shprehen nga zyra e Topit për gazetën “TemA”.
Prokuroria konfiskoi pasuritë e biznesmenit Dashamir Gjoka, i cilia akuzohet për “shfrytëzim të prostitucionit” si dhe “trafikim të qenieve njerëzore”.





