Arkeologu mbikqyrës i gërmimeve për “Velierën” As. Profesor Eduart Shehu në një intervistë për “Durrës Lajm” deklaroi se nuk është përcaktuar ende shkalla e dëmtimit të strukturës së zbuluar nga plintat e hekurit dhe të betonit, por raporti përfundimtar i zbulimeve arkeologjike, periudhave  kohore që ju përkasin, etj, i dërgohet brenda kësaj jave Institutit të Arkeologjisë i cili do të japë vendimin për të ardhmen e kësaj zone.  

Zoti Shehu mbaruan arkeologët me gërmimet në strukturën e zbuluar?

Jemi në fazën përmbyllëse dhe finalizmit të dokumentacionit e cila kërkon më pas edhe përgjigjet për çfarë është zbuluar këtu.

Opinioni publik ka vërjetur që së bashku me themelet e godinës janë zbuluar edhe plintat prej hekuri dhe betoni brenda strukturës. Sa është shkalla e dëmtimit të strukturës së zbuluar?

 Ne verifikojmë praninë e tyre. Shkalla e dëmtimit është çështje tjetër. Pavarësisht nguljes së tyre vërej se struktura nuk ka pësuar dëmtime.

Kur përfundon dokumentacioni final?

Ne synojmë sa më shpejt. Ne po diskutojmë edhe disa çështje që kemi,  janë të aspektit funksional edhe kohor.

Duke ndalur tek aspekti kohor, ne kemi vërejtur këtu gurë me shkronja romake. Cilës periudhe i përkasin?

Siç jua kemi përmendur strukturat janë të përziera në themel. Që do të thotë se materialet që janë përdorur në ndërtimin e kësaj godine janë mbledhur nëpër qytet. Në strukturat e zbuluara prej nesh nuk ka asgjë më të hershme se osmanët, por blloqet e gurit të përdorura nga ndërtuesi janë të periudhave të ndryshme kohore, të cilat janë shkëputur nga ndërtuesit në pika të ndryshme qytetit dhe janë vendosur prej tyre në kohën e ndërtimit të objektit. 

Pra këto gurë të çfarë periudhe kohore janë?

Janë antike, antike e vonë, mesjetare.  Ndërtuesi i ka vendosur për të zënë hapësirat e nevojshme në mur.

K.H.