Nga Durrësi në Korçë, Skënderbeu dhe Teuta bëhen gati për aktin e tretë sezonal në një 90 minutësh ku do të hiqen shumë pikëpyetje për sa i përket sezonit të dy skuadrave. Në orën 17:00 të së shtunës në stadiumin e qytetit të Korçës do të zbresin në fushë dy nga skuadrat më në formë të momentit, por njëkohësisht edhe dy ekipe që kanë nevojë për oksigjenin që tq japin pikët. Teuta ende në vallen e mbijetesës udhëton në këtë transfertë me një skuadër të ndryshme nga ajo e fazës së dytë ku gjithsesi arriti të ruante një barazim.
E vetmja fitore e këtij sezoni i takon Skënderbeut me atë gol të Nimagës në frymën e fundit, çka tregon qartë se “Djemtë e Detit” janë një kundërshtar që dinë si t’i lexojnë mekanizmat e kampionëve.Gugash Magani arrin të lexojë mjaft mirë kundërshtarët dhe nuk mund të ndodhë ndryshe edhe në transfertën e Korçës ku do të synojë të ndërpresë vrullin e kampionëve që brenda pak javësh kanë arritur të rikthehen në krye të klasifikimit.
Pikëpyetja më e madhe në radhët e skuadrës së Dajës është krahu i majtë i mbrojtjes për shkak të mungesës së Micit dhe trajneri kryeqytetas duhet të marrë një vendim për të gjetur zgjidhjen më ideale, ndërsa në sulm, Latifi, James dhe Salihi janë tre pikat e referimit. Në krahun tjetër, Magani mund të zbresë në fushë një skuadër më të ekuilibruar duke e vënë theksin në organizimin dhe soliditetin e mbrojtjes dhe mesfushës.
Statistikat flasin qartë, Teuta nuk pëson gol që prej 3 ndeshjesh në kampionat sepse trajneri pqeinas ka kolauduar në mënyrë perfekte repartin që gjatë dy fazave të para të sezonit çaloi dukshëm.Objektivat janë diametralisht të kundërt, por Kategria Superiore nuk ta dhuron luksin e çlodhjes së muskujve edhe ndaj kundërshtarëve inferiorë në letër, prandaj korçarët rrezikojnë të përplasen me murin durrsak, ashtu sindodhi vetëm disa muaj më parë në “Niko Dovana”.
Osmani dhe Gripshi janë dy ish-ët e mëdhenj në kampin bardhekuq, ndërsa në krahun tjetër, Progni do të kërkojë t’u tregojë kampionëve se gabuan me largimin e tij. Përballë do të jenë dy filozofi të ndryshme por një tjetër sfidë brenda sfidës është edhe ajo mes Maganit e Dajës, të dy me të shkuar bardheblu por aktualisht komodë në stolat respektivë. Një duel i gjithi për t’u shijuar sepse nektari i këtij kampionati është pikërisht në duele të tilla, të luftuara deri në sekondën e fundit.