Ka përfunduar takimi mes përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë si dhe Zëvendës Presidentja e Komisionit Evropian Federica Mogherini me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Takimi mes dy personaliteteve u zhvillua në ambientet e hotel “Rogner”, shumë pranë çadrës së protestës të vendosur para kryeministrisë.Kreu i PD, Basha në bisedën rreth 30-minutëshe me zyrtaren e BE-së, ishte i shoqëruar nga Jorida Tabaku, Aldo Bumçi dhe Oerd Bylykbashi. Mogherini takoi Bashën pas takimit me kryeparlamentarin Ilir Meta.
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha pas takimit me Mogherinin në një prononcim për media është shprehur se nuk do të shkojë në Parlament të hënën.
“Të plotësohen kushtet, qeveri teknike. Kjo do te sjellë zgjedhje të lira. Kauza jonë po ka gjithnjë e më shumë mbështetje. Nuk ka dhe nuk ka për të pasur Parlament, përvec sheshit të lirisë deri sa të garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme” tha Basha.
Pas takimit me kreun e PD-së, Lulzim Basha, Mogherini ka zhvilluar një takim me kreun e qeverisë, Edi Rama.
Pas takimit, Mogherini dhe Rama dolën në një konferencë për mediat. Mogherini tha se ajo ka qenë mjaft e qartë në takimet e sotme në Tiranë.
Sipas saj, vetëm zbatimi i vetingut çel negociatat me BE-në. Bojkoti i Parlamentit vonon vetingun dhe pengon çeljen e negociatave.
“Mesazhi im është ky, nga ana e BE-së jemi gati që të çelim negociatat vetëm pas zbatimit të reformës në drejtësi. Ne duam të shohim zbatimin e kësaj reforme. Jam takuar me kreun e Kuvendit dhe me opozitën dhe kam qenë e qartë në këtë pjesë. Ata që po përpiqen të ngadalësojnë ritmin e reformave do të djegin negociatat.
BE-ja është serioze dhe konsistente. Unë kam qenë e qartë që bojkoti i Parlamentit ndalon vetingun dhe progresin drejt BE-së”, ka thënë Mogherini.
Ndërsa kryeministri Rama tha se me Mogherinin kishte diskutuar mbi 5 prioritetet dhe reformën në drejtësi. Rama tha se për çështjet e Rajonit do të bisedonte me zyrtaren e lartë në një darkë pune. Pas përfundimit të fjalës së saj, Rama tha se me “qartë se kaq nuk ka”, duke hedhur një kunjë drejt opozitës.
KUSHTI I VETEM
Pas takimit të parë të kryer në Tiranë me Presidentin Bujar Nishani, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë si dhe Zëvendës Presidentja e Komisionit Evropian Federica Mogherini zhvilloi një takim me studentët e Erasmus në Universitetin e Tiranës nën shoqërinë e Ministrit të Jashtëm të vendit Ditmir Bushati.
Mogherini tha se kushti që BE të hapë bisedimet me Shqipërinë për anëtarësim është zbatimi i Reformës në Drejtësi.
“Ndjehem e nderuar që jam këtu sot me ju. Ju ndoshta e dini që kam qenë në Tiranë si pjesë e një vizite rajonale. Këto nuk janë kohë të lehta për rajonin. Për mua të takohem me të rinjtë më jep mundësinë që unë ta shoh vendin në sy. Sot më erdhi në mendje një slogan “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. E kuptoj shumë mirë çfarë do të thoshte kjo, dhe që ende ka. Për mua është mënyrë e qartë që Shqipëria është Europa, duhet të largojmë idenë që s’jeni europianë. Ju jeni rrugës për të hyrë në BE, por europianë jeni. Kultura, e tashmja dhe e ardhmja na bashkon. Rreth 500 shqiptarë kanë studiuar në Europë falë bursave Erasmus.
“Shqipëria është Eruopë dhe duam që të jetë pjesë e BE-së”, ky është slogani që duhet të ndjekim. Bashkimi ynë nuk do jetë i plotë derisa të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e BE-së, jo vetëm Shqipëria por i gjithë rajoni. Shqipëria është anëtare e NATO-s tashmë, është vend me përgjegjësi. Të rinjtë si puna juaj mund të kenë ëndrra të mëdha e pritshmëri të mëdha për vendin. Mesazhi im për ju nuk është që të bëni durim, por kërkojini udhëheqësve tuaj që të plotësojnë dëshirat tuaja. Punoni fort për ndryshimin se ju jeni pjesë e tij. Angazhimi dhe vullneti juaj. Ju jeni e tanishmja e vendit dhe keni përgjegjësi që duhet t’i merrni. Reforma në Drejtësi është e rëndësishme jo vetëm se e kërkon Europa, por se e kërkojnë të gjithë qytetarët shqiptarë. Duhet ta zbatojnë këtë reformë me të njëjtën konsensus kur e miratuan. Një sistem i pavarur drejtësie do të luftojë krimin e korrupsionin, e do e bëjë vendin më tërheqës për investitorët e huaj. Tani ka ardhur koha që Shqipëria të marrë hapat e vet në rrugëtimin e BE, dhe atëherë ne do të jemi gati të hapim bisedimet,” tha Mogherini.
Ngrini zërin, kërkojuni krerëve të shtetit tuaj nëse doni të shkoni në BE
Në fjalën e saj Mogherini iu drejtua studenteve se nëse ata duan anëtarësimin e Shqipërisë në BE, këtë duhet tua kërkoni udhëheqësve te shtetit tuaj.
“Ju jeni Evropiane. Unë e di të them diçka që dihet që jam italiane. Nga Pulia në një ditë me diell duket qartë Shqipëria. Ne kemi shumë të përbashkëte. Duke filluar që në kulturë tek e ardhmja dhe tek e tashmja. Lidhjet tona janë bërë gjithnjë e më të afërme. Unë kam qenë disa herë në Shqipëri. Unë e di që Shqipëri mund të tregojë zgjuarsi për rritjen ekonomike dhe zhvillim.
Unë e di që mesazhi që ju prisni prej meje është që ju të anëtarësoheni në BE. Ne jemi të hapur dhe po ju presim për këtë proces, por kërkojmë bashkëpunim nga ana e kryetarëve të shtetit tuaj. Unë ju them që ju mos tregoni durim ngrini zërin tuaj. Kërkojuni krerëve të shtetit tuaj integrimin nëse doni të shkoni në BE. Ne jemi gati që t’ju presim dhe të nisim negociatat”.





