Izmir Smajlaj nuk do të garojë i vetëm nesër nën petkun e ngjyrave kuqezi. Luiza Gega është sportistja tjetër që ka siguruar një biletë në kampionatin Europian të sallave të mbyllura, aktivitet që po zhvillohet në Beograd Serbi.
Atletja kuqezi garoi sot në baterinë e tretë të kësaj distance, ku u rendit e dyta me kohën 4’13”40, rezultat i mjaftueshëm për ta çuar në finale, ku do të synojë një medalje nesër. Në këtë distancë morën pjesë 19 atlete të ndara në tri bateri, ku Gega ishte në të tretën, e renditur e dyta pas polakes Sofia Ennaoui (4’11”91).
Në klasifikimin e përgjithshëm të kësaj gare, koha e Luiza Gegës (shoqërohet nga trajneri i saj Taulant Stërmasi) ishte e nënta (kualifikoheshin dy të parat e çdo baterie dhe tri kohët e treta më të shpejta). Koha e saj ishte ndjeshëm më e lartë se rekordi i saj (4’06”66), por sot atletja shqiptare bëri një garë “kursimi”, duke ruajtur energji për finalen, ku synon medalje. Kohën më të shpejtë në 1500 metra e dha atletja britanike Laura Muir (4’10”28), por Luiza Gega tregoi sot se është mes pretendenteve dhe se mund të befasojë nesër në mbrëmje gjatë finales.