Një tjetër emër i bujshëm! Kina nuk ka ndërmend të ndalet dhe vazhdon të grumbullojë “yje”. Lajmi i fundit është ai që flet për kalimin në Azi të Diego Armando Maradona. Ashtu si ka bërë të ditur Matias Morla, avokati i “legjendës” së futbollit argjentinas, në një intervistë për “Diario Popular”, kanë filluar bisedimet për transferimin e Maradonës në Kinë në rolin e këshilltarit.
Maradona pritet të ketë si detyrë të mbajë leksione dhe seminare kudo në Kinë, për të promovuar edhe më tej futbollin në këtë vend. Pak a shumë atë që ka bërë në Dubai gjatë viteve të fundit.
“Të njëjtit njerëz që kanë çuar Carlos Tevez në Shangai janë të interesuar edhe për Diegon, – shpjegon Morla. – Ne kemi dhënë “ok” dhe bisedimet janë në një fazë të avancuar. Mendoj se para se të mbyllet viti 2017, Maradona do të ketë filluar punë në vendin aziatik. Në fillim duhet të mbyllim kontratën që kemi në Dubai, pastaj të shohim termat financiarë të transferimit në Kinë, por për momentin mund të them vetëm se kemi bisedime dhe një ofertë konkrete.”