Mbrëmë Lulzim Basha deklaroi se nuk do të ishte pjesë e takimit me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini në Tiranë, por sot gjërat ndryshuan dhe në axhendën e saj është parashikuar edhe një takim me kryedemokratin në orën 19:45, siç konfirmoi News 24. E për këtë duket se një person brenda Partisë Demokratike ka bërë përpjekje të vazhdueshme.

Burime të BalkanWeb thonë se, Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu është impenjuar personalisht që prej tre ditësh të zhvillojë biseda me diplomatë ndërkombëtarë, me qëllim që axhenda e zonjës Mogherini të përfshijë edhe liderin e opozitës. Dhe ashtu ndodhi.

Kryedemokratit Basha i është dhënë mundësia t’i shprehë nga afër përfaqësueses së lartë të BE-së këndvështrimin e tij, të flasë për protestën dhe aksionin opozitar.