Katerina Shkëmbi, e njohur nga formati “Big Brother 7”, krijoi profilin e saj për natyrën kundërshtare pasi hyri në polemika me banorët e tjerë. Vajza nga Pogradeci, me një eksperiencë si modele në Itali, arriti të fitonte vëmendjen e publikut edhe pse nuk qëndroi gjatë në lojë.
E hapur siç ishte në “BB” ajo ka ndarë me miqtë pak javë më parë ndryshimin që ka bërë në pamjen e saj, pikërisht rimodelimin e hundës. Po cilat janë pritshmëritë për skemën e re të “Big Brother 9”, i tregon për gazetën “Panorama”:
Si një ish-lojtare e “Big Brother” sa kureshtare je për këtë edicion të ri?
Po, jam interesuar normalisht, sepse mbetet përherë spektakli më i ndjekur nga të gjithë shqiptarët dhe publiku në përgjithësi.
Çfarë pret të shohësh me padurim këtë sezon?
Pres që kësaj here formati të përcjellë përmes konkurrentëve të rinj sa më shumë mesazhe të mira dhe me vlerë, që të jenë shembull për gjeneratën tonë, në veçanti për të rinjtë.
Çfarë nuk të ka pëlqyer kur ishte vetë banore e shtëpisë së vëzhguar nga kamerat?
Nuk më ka pëlqyer fakti që janë vlerësuar më shumë banorë negativë sesa të tjerë më pozitivë, dhe që vërtet kanë qenë dhe më të fortë e që i kanë dhënë mesazhe të mira publikut.
Këtë vit ndalohet seksi, mendon se është një rregull që duhej?
Mendoj se është një zgjedhje shumë e mirë, sepse i sfidon banorët, secili më shumë me veten dhe në një marrëdhënie me njëri-tjetrin. Kjo e bën lojën më të vështirë dhe të komplikuar. Plus kjo bën që të fokusohen më shumë te gjëra më të rëndësishme, sesa te marrëdhënia seksuale brenda një “reality show”.
Kur ishe në lojë, ke qenë dëshmitare e ndonjë skene seksi?
Nuk kam parë gjë personalisht, sepse nuk isha poshtë batanijeve të çifteve(qesh). Nuk mund të shprehem për këtë pjesë se jam një nga lojtaret që as nuk u lidha me dikë, as nuk u putha, as nuk pata marrëdhënie seksuale. Por besoj që kjo bëhet më shumë për lojë, kur nuk ekziston ndjenja mes çifteve dhe, normalisht, për të arritur fitoren e madhe.
Domethënë, seksi është një plus për ata që synojnë kupën?
Jo, absolutisht. Por seksi dhe lidhjet në lojë, në një farë mënyre, krijojnë dhe argëtim për publikun. Kjo u shton pikë edhe banorëve që janë në në lojë për t’u pëlqyer më shumë nga jashtë dhe për të qenë më interesantë dhe kureshtarë.
Cilët do të veçoje si banorët më të veçantë ndër vite, sipas teje?
Ata që kanë mbetur në kujtesën e të gjithëve janë shumë pak, si për shembull Valer Kolnikaj në edicioni tim. Kjo do të thotë që disa janë më të veçantë sesa vetë fituesit ndër vite, që janë harruar prej kohësh dhe nuk duken askund. Në edicionet e tjera më kanë pëlqyer lojtarë si: Liam “BB5”, Ilir Beqiri i “BB6”, Fatjoni i “BB8” etj.