Propaganda e Radio Tiranës gjatë kohës së diktaturës hoxhiste njëlloj si propaganda e ISIS-it online sot në jo pak raste arrinte t’ua shpëlante trurin të huajve të ndryshëm, që dëgjonin Radio Tiranën. Kryesisht ishin adoleshentë nga vendet e Amerikës Latine apo Afrikës, që binin pre e kësaj propagande mashtruese për mrekullitë e socializmit stalinist shqiptar. Të tillë mjeranë shpesh kërkonin të vinin si turistë në Shqipëri, apo edhe të emigronin për të jetuar në Shqipëri, ”parajsën” e punëtorëve e të fshatarëve.
Në Spanjë kemi edhe një rast ekstrem, kur u rrëmbye një avion (ne foto), me qëllim që rrëmbyesi të shkonte në Shqipëri, ku ndërtohej socializmi autentik. Në 4 janar 1970, 18-vjeçari spanjoll Mariano Ventura Rodriguez duke përdorur një pistoletë lodër rrëmbeu një avion 30 vendësh, tip Convair CV 240, të linjës ajrore spanjolle Iberia. Adoleshenti spanjoll kërkoi që avioni të ndryshonte drejtimin e fluturimit për në Tiranë, sepse ai donte të jetonte në të vetmin vend në Europë, ku ndërtohej socializmi i vërtetë. Avioni në fakt u ul në aeroportin e Saragozës. Ushtarë e policë të armatosur me automatikë hipën në avion. Shefi i policisë e paralajmëroi Mariano Rodriguez-in, nëse vriste apo plagoste pasagjerë apo pjesëtarë të ekujpazhit, policia do ta ekzekutonte në vend. Rodriguez pas pak minutash u dorëzua, duke mos realizuar dot ëndrrën e vet shqiptare.
Gjykata spanjolle e dënoi me 10 vjet burg të rëndë si terrorist, por Gjeneralisimi Franko pas një viti burg e fali adoleshentin spanjoll. Me urdhër të posacëm të gjeneralisimit Franko, Roja Civile (policia) spanjolle vendosi kontakte të posaçme me Oborrin Mbretëror Shqiptar në mërgim në Spanjë për të marrë më shumë informacion për diktaturën hoxhiste dhe kërcënimet e mundshme, që mund t’i vinin Mbretërisë së Spanjës nga komunizmi shqiptar.
Gj. Th.





