Sot do të mbahet seanca plenare e radhës në Kuvend, por pa prezencën e deputetëve të opozitës, të cilët kanë vendosur bojkot.
Demokratët vijojnë për të 13-tën ditë me radhë, protestën në sheshin para Kryeministrisë, duke refuzuar të bëhen pjesë e parlamentit deri në plotësimin e kërkesës së tyre për një qeveri teknike, që do të mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Seanca e sotme ka në rend dite ratifikimin e tri marrëveshjeve, mes palës shqiptare dhe Kfv Frankfurt am Main, për financimin e projektit “Linja unazore 110 kilovolt e Shqipërisë së Jugut”. Krahas saj, për votim është parashikuar dhe pr/rezoluta “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2016”.
Zhvillimet nga aktualiteti pritet të jenë gjithashtu pjesë e diskutimeve të sotme në parlament.





