Olga Korbut, ish-gjimnastja ruse që në Lojërat Olimpike të vitit 1972 (të zhvilluara në Mynih, Gjermani) shkëlqeu me paraqitjen e saj, duke fituar 3 medalje (dy të arta dhe një argjendi), sot nuk ka asnjë medalje për të varur në qafë. Ajo i ka shitur të trija medaljet e fituara, pasi ishte në vështirësi financiare. Lajmin e kanë konfirmuar mediat ruse, që shtojnë se Korbut, tashmë 61-vjeçe, është e mbytur në borxhe.
Prej vitit 1991 ajo emigroi në Amerikë, ku dhe jeton, por në kushte të vështira (mban edhe nënshtetësinë amerikane). Lajmin e shitjes së medaljeve të arta e konfirmoi edhe “Heritage Auctions”, që tha se Olga Korbut vuri në ankand 32 medalje që kishte fituar në karrierën e saj, mes të cilave edhe 2 të arta e një argjendi, që pati fituar në “Mynih 1972”. Ato janë shitur gjatë një ankandi të zhvilluar online, gjatë fundjavës së kaluar, për vlerën 333,500 mijë dollarë. “Medaljet shpëtuan nga uria Korbut”, ka thënë e përditshmja britanike “Guardian”. Ish-gjimnastja ruse pati fituar 3 të arta në Mynih, por njëra prej tyre është vjedhur, vite më parë.