Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho gjatë një seance pyetjesh me kreun e drejtorisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave, Agim Ismailaj ka hedhur dyshime të forta se një Bankë e Nivelit të Dytë në Shqipëri, po kryen operacione për pastrim parash.

Braho ka pyetur dje drejtorin e komanduar në këtë detyrë, i cili nga ana e tij as e ka pohuar dhe as e ka mohuar këtë fakt.

Ka ndonjë hetim për ndonjë bankë që pastron paratë? Unë nuk do ta them sepse do të krijojmë zhurmë të madhe, por dyshoj që në një bankë bëhet pastrim i madh parash. Keni ndonjë denoncim ju, apo hetim?”, ka thënë dje Braho.

Përgjigjja e Ismailajt ishte teje evazive, ajo i rriti edhe më shumë dyshimet për vërtetësinë e deklaratës së Brahos.

Pikë së pari, nuk mund ta ndaj një informacion për këtë çështje. Nuk mundet të them, kemi apo s’kemi”, tha ai.

Bankat, edhe pse kanë masa parandaluese, nga bankat na vijnë të gjitha rastet e dyshimta të pastrimit të parave”, shtoi Ismailaj.