Portieri legjendar Dino Zoff pranon se gardiani i AC Milan është më i mirë se ai. Donnarumma mbushi vetëm 18 vjeç të dielën, prapëseprapë portieri ka qenë numri 1 i kuqezinjve për gati dy vite, duke bërë që e gjithë Italia ta shohë si portierin e së ardhmes. Dhe Zoff i thur elozhe djaloshit për talentin e tij të jashtëzakonshëm.
“Mendoj se është më i mirë se unë,” shprehet 74 vjeçari, kapiten i skuadrës Azzurri që fitoi Kupën e Botës në vitin 1982, për Radio Ancho’io Sport.
“Ai po bën gjëra të jashtëzakonshme, e pret një karrierë e madhe. Starti i Donnarumma jep shpresa të mëdha, e vetmja këshillë që mund t’i jap është që të qëndrojë i qetë dhe të mundohet të përmirësohet, sidomos në aftësitë teknike pasi disa portierë harrojnë të punojnë në atë aspekt. E ardhmja e tij? Ai ka nevojë për zemër dhe arsyetim. Ai nuk duhet të mendojë për ndryshime të mëdha. Mendoj se është më mirë të qëndrojë te Milan, më pas në disa vite, mund të bëhen llogaritë.”