Ndërsa opozita shqiptare prej javësh po u bën thirrje mbështetësve të vet të kopjojnë përvojën rumune me demostrata masive për ta detyruar Ramën të dorëhiqet, policia rumune po kopjon përvojën e policëve të Tahirit përsa i përket luftës antikorrupsion. Rumania e pas Causheskut ndër të tjera u karakterizua nga një korrupsion i llahtarshëm e gjithëpërfshirës, por vitet e fundit nga maja e piramidës së pushtetit e deri te polici më i thjeshtë, janë përfshirë në një fushatë antikorrupsion. Ndërsa në Rumani si në Shqipëri, deri dje ishte diçka e modës t’i jepje bakshish policit rrugor apo kufitar, sot bakshishi të con në burg në Rumani njëlloj si në Shqipëri.

Pikërisht dy shqiptarë të ngratë, kanë përfunduar në burg në Rumani vetëm se tentuan t’i japin bakshish policëve kufitarë rumunë. Julian Damzi dhe Imer Hidri në nëntor 2015 tentuan të hynë në Rumani me automjetin e vet me targa shqiptare nëpërmjet kalimit kufitar Jimbolia në kufirin rumuno-serb. Imeri, kur i dorëzoi pasaportën policit kufitar rumun kishte future 100 euro në të, ndërsa Juliani 50 euro. Polici rumun në vend që t’i fuste eurot në xhep siç ishte zakoni, thërriti shefin e vet dhe i informoi shqiptarët se të tentoje t’i jepje bakshish policëve rumunë, ishte vepër penale e dënueshme me gjobë ose me burgim.

Nga kontrolli kompjuterik rezultoi se për Imer Hidrin kishte një urdhër dëbimi nga tërë Zona Shengen, urdhër ky i lëshuar nga autoritet italiane. Një urdhër i tillë e ndalonte Imerin të hynte legalisht në Rumani. Gjatë qëndrimit në zyrat e policisë kufitare rumune, 2 shqiptarët vazhduan t’u ofrojnë policëve rumunë 100, 200 e deri 300 euro ose dhurata si shampanjë, pako kafeje, steka cigareje importi etj. pa e kuptuar se ata po regjistroheshin fshehurazi me audio dhe video nga inspektorët e Autoritetit Qendror Antikorrupsion Rumun. Policët rumunë, jo vetëm nuk pranuan dhuratat dhe eurot e dy shqiptarëve, por pas gjysmë ore negociatash u vunë prangat dhe i transferuan në burgun e Timishoarës. Më 25 shkurt 2017, u mbajt seanca paraprake e gjyqit për Hidrin dhe Damzin. Seanca tjetër është caktuar më 20 mars 2017. Shqiptarëve të ngratë u duhet të paguajnë si faturën e korrupsionit ashtu edhe faturën e antikorrupsionit, duke përfunduar në burg për dhënie bakshishi policisë, jo vetëm në rrugët e Shqipërisë, por edhe në doganat e Rumanisë!

Nga Gjergj Thanasi