Thjesht e pabesueshme, një shuplakë për gjithë ata futbollistë që me zor vrapojnë sapo kalojnë moshën 30 vjeç dhe e konsiderojnë veten veteranë në fund karriere: Kazujoshi Miura është 50 vjeç dhe vazhdon të luajë futboll… dhe çfarë futbolli! Sulmuesi legjendar aktivizohet prej vitesh te Jokohama FC, në divizionin e dytë japonez, kampionat goxha cilësor, mos u gënjeni nga fakti që është kategori e dytë.
Sot nisi kampionati dhe Miura luajti titullar në fitoren 1-0 ndaj Jamagas, derisa u zëvendësua në minutën e 60-të, mes ovacioneve të publikut.“Mbreti Miura”, si e thërrasin në Japoni, ka një histori për film, sepse ka luajtur nga Brazili deri në Serinë A me Xhenoan, si dhe me kombëtaren japoneze për shumë vite (pengu i madh, nuk ka luajtur në Kupën e Botës), ndërsa prej vitesh është te Jokohama, ku vazhdon të shkëlqejë dhe të jetë shembull për gjithë futbollistët anembanë botës.