Himni i Flamurit ka kumbuar në Beograd, ku Izmir Smajlaj, ka arritur të bëjë të tijën medaljen e artë në Kampionatin Ballkanik në salla të mbyllura. Atleti shqiptar, ka triumfuar në garën e kërcimit së gjati, duke regjistruar njëkohësisht edhe një rekord të ri kombëtar.

Që në hedhjen e parë, Smajlaj tregoi se ishte në formë të shkëlqyer dhe se synonte medaljen, pasi regjistroi largësinë 7,77 metra. Por ai ishte në ndjekje të rumunit Neagoe i cili regjistroi një hedhje prej 7,82 metra.Atleti shqiptar përmirësoi fillimisht rezultatin e tij me 7,80 metra në hedhjen e katërt, ndërsa në të fundit regjistroi atë që do t’i sille si medaljen e artë, ashtu edhe rekordin e ri kombëtar, largësinë 7,98 metra.