Një person ka sulmuar sot kreun e Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiun, duke e qëlluar me grushte. Sulmi ka ndodhur brenda çadrës së PD-së para Kryeministrisë.
Policia ka arrestuar një person të dyshuar si autor i këtij incidenti. Flamur Pirraci, 34 vjeç, banues në Tiranë dyshohet të ketë sulmuar Spahiun pas një debati verbal mes tyre.
Vetë kreu i AKZ-së ka deklaruar se personi që e ka qëlluar ka qenë rreth moshës 30-vjeç. Ai akuzoi policinë se nuk e arrestoi pas incidentit, por e mori në mbrojtje.
"Po pres të bëj denoncimin pasi jam goditur tre herë me grusht. Nuk e njoh si emër, por e kemi parë këtu. Ai shkoi te policia dhe ata e morën në mbrojtje. Ishte rreth moshës 30-vjeç", u shpreh Spahiu.
Ndërkohë Flamur Pirraçi, 34 vjeç ka në profilin e tij në “Facebook” një foto me Sali Berishën. Ai duket se është një fans i tij.
Po kështu edhe dëshmitarët në vendngjarje thanë se ai është parë disa herë në çadrën e PD-së këto ditë.
Nuk dihet ende motivi i sherrit, por Pirraçi është shoqëruar në polici në lidhje me ngjarjen.





