Wayne Rooney nuk do të largohet në drejtim të kampionatit kinez. Sulmuesi anglez u dha fund spekulimeve në lidhje me të ardhmen e tij, duke i premtuar besnikëri Manchester United, kontrata me të cilin skadon në verën e vitit 2018.“Pavarësisht interesit të shfaqur nga shumë klube kineze, ndaj të cilëve jam shumë mirënjohës, dua të konfirmoj se do të qëndroj tek Manchester United. Shpresoj që të luaj një rol të rëndësishëm për të ndihmuar skuadrën që të luftojë për sukseset në të 4 kompeticionet e këtij sezoni”, ishte deklarata e Wayne Rooney.
Ditët e fundit, në median britanike u fol me siguri për largimin e kapitenit të “Djajve të Kuq” në drejtim të Superligës kineze dhe se agjenti i tij, Paul Stretford kishte udhëtuar në drejtim të vendit aziatik për të diskutuar në lidhje me transferimin e mundshëm të futbollistit.Wayne Rooney, shënuesi më i mirë në historinë e Manchester United, pritet që të jetë në fushë për “Djajtë e Kuq” në finalen e Kupës së Ligës, ndaj Southampton.