Ben Blushi deklaroi sot nga foltorja e Kuvendit se zgjedhjet janë në rrezik dhe i kërcënon jo vetëm qeveria por edhe opozita. Këto dy forca sipas tij, janë aq të lidhura me njëra-tjetrën, sa rrëzimi i njërës, merr nga pas edhe tjetrën.

“Kam qenë dje në bisedime me ndërkombëtarë, PD nuk e do numërimin elektronik se e humb monopolin e votuesve të vetë, pastaj thotë Rumania. Ju them ndryshimin që kemi me ata. Në Rumani proteston populli kundër padrejtësisë, në Shqipëri proteston padrejtësia. Për fat të keq zgjedhjet janë në rrezik, cenohen nga qeveria, por Shqipëria është rast unik, zgjedhjet kërcënohen nga të dyja palët rilindja dhe vetë PD-në”,- tha ai.

Sipas tij, nëse PD arrin të mbajë fjalën dhe të prishë zgjedhjet nuk do të arrijë asgjë, pasi kjo Republikë po shkon drejt shpërbërjes.

“Pyetja që kam sot për ju është kjo: E zëmë se PD njëherë në jetën e vet e mban fjalën dhe prish zgjedhjet, çfarë ndodh me ne? Së pari, sabotohet administrimi i zgjedhjeve se keni krijuar një monopol. Integrimi do bllokohej për gjysmë dekade, vendi do hynte në krizë, njerëzit do donin të iknin edhe më shumë nga Shqipëria. Prandaj rruga e vetme që ka PD sot është të vrasë veten me shpresë që plumbi i saj do prekë edhe kundërshtarin”, sqaroi Blushi.

Kreu i LIBRA-s më tej iu uroi shkatërrim të mbarë dy forcave kryesore politike. “Vendi ka hyrë në një rrugë pa kthim, do jetë më e rëndë pas zgjedhjeve. Republika jonë po shembet, po bie. Republika e korrupsionit për bie po i afrohemi një Republike te re. Bëhuni gati për tu rrëzuar, jo për të biseduar. Ju uroj shkatërrim të mbarë”.