Nga Gjergj Thanasi
Në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe të zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës situata politike në Shqipëri është tensionuar mjaft. Realisht tensioni nuk shfaqet në çdo cep të Shqipërisë si në vitin 1990-1991, në vitin 1997, apo në shtator 1998. Kjo situatë e tensionuar nuk ngjan as me shkurtin 2004 me protestën massive “Nano ik” të opozitës së atëhershme të përkrahur në prapaskenë nga Edi Rama kryebashkiaku socialist i Tiranës dhe shoqëria e atëhershme civile Mjaft-iste e Erion Veliajt.
Beteja politike midis opozitës dhe një pjese të mazhorancës, Rilindjes së Edi Ramës, është vetëm në aksin që fillon me çadrën, ku është “ngujuar” PD-ja e Bashës dhe mbaron tek Torra Veneciane në Durrës, ku “reziston” si në rrethim kryebashkiaku Dako. Në Tiranë, zgjimit dhe radikalizimit të papritur të kryetarit de jure të PD-së, z. Basha, Rama me të vetët po i përgjigjet me tërë arsenalin propagandistik, që ofron Fuga & Co si edhe me çdo mjet të mundshëm, që i siguron qenia në pushtet. Socialistët madje kanë luksin në Tiranë edhe të bëjnë duele propagandistike se kush do të jetë trashëgimtari i të “Gjatit”: ministri i fuqishëm Tahiri apo Veliaj, kryebashkiaku sorrosian i kryeqytetit. Në pjesën tiranase të frontit të “luftës” Rama ka thirrur në armë edhe njerëzit e Sorrosit në Europë dhe mbeturinat klintoniane në stafin e Departamentit të Shtetit. Për të nxjerrë Bashën (Berishën) nga Çadra, Rama si strategët romakë në vaktit lëshoi në sulm legjionet me emra kumbues “Vlahutin”, “Lu”, “Fleckenstejn,” njeriu i besuar i Xhorxh Sorrosit sipas vetë dokumenteve të hakeruara të Fondacionit Sorros. Berisha arriti ta ngujojë me sukses në çadër Lulzimin, kryetar të PD-së, nëpërmjet kërkesës ende të deklaruar të panegociueshme: PD-ja nuk hyn në zgjedhje me Kryeministër Ramën, hajdut votash e të inkriminuar.
Kryebashkiaku Dako dhe i vetëm trim në “luftë”
Në Durrës, në anën tjetër të frontit, kryebashkiaku Dako, “piloti prej betoni”, mbi të cilin mbështetet ngrehina e PS-së, është bërë tabelë qitjeje. Sebepi i një breshërie sulmesh antiDako është bërë arkeologjia durrsake e prezumuar si e dëmtuar nga projekti urbanistik i quajtur “Veliera”. Qëllimi i vërtetë i këtyre sulmeve është dështimi i inaugurimit në prag të zgjedhjeve të dy projekteve madhore, njëkohësisht mjaft të përfolura: ptojektit “Veliera”, dhe Rrugës së Plazhit (ish-rruga “Tre vëllezërit Thanasi”). Nëse Dako dështon t’i përurojë këto dy projekte, ka shumë të ngjarë që për shkak të kaosit të pashembullt në qarkullimin rrugor në Durrës njëlloj si me sheshin “Skënderbej” në 2011-n, të ketë tkurrje të votave pro PS-së në zgjedhjet e qershorit.
Në betejën e ardhshme elektorale Durrësi është i rëndësishëm, jo vetëm për shkak të numrit 14 të deputetëve si qark, por edhe se Rama do lërë Vlorën për të kandiduar në Durrës. Vlora me kryebashkiakun Leli është ku të thërret qameti, aq sa edhe nje copë Lungomare nuk arriti ta mbarojë, ndonëse punimet kishin filluar, që në kohën e Berishës kryeministër. Nëse Rama nuk kandidon as në Vlorë, nga ku ka origjinën e ëma, e as në Durrës, vendlindjen e të atit, atëhere ai e fillon fushatën elektorale me një autogol në marëdhëniet me publikun. Pikërisht për të dëmtuar Ramën dhe Rilindjen, opozita dhe kushdo ziliqar në PS i janë turrur Dakos me sëpatë në dorë, me qëllimin e qartë për të prerë degën, ku mbështeten hesapet elektorale të Ramës në Durrës.
Berisha me mençuri e prudencë thuajse asnjëherë nuk e ka sulmuar personalisht Dakon. Ai si një gjuetar i mirë ka ndërsyer “zagarët” politikë për t’ia nxjerrë Dakon në shteg. Aleatët de fakto e de jure të PD-së duke filluar nga z. Duka deputet i Qarkut të Durrësit e deri te deputeti Blushi me vrull, inat e një lumë epitetesh fyese i janë sulur Dakos, Velierës së Dakos, punëve publike të Dakos, sepse e dinë se në Durrës kryebashkiaku është shansi i vetëm që PS-ja të kapë 7 deputetë. Vetë PD-ja është mjaftuar me disa deklarata anemike të deputetit Bylykbashi, ku citohet ndonjë nen në Kodin Penal dhe bëhen kërcënime të mjegullta për burg për Dakon e asgjë më shumë. Në këtë kontekst i kujtojmë lexuesit se pararendësi i deputetit Bylykbashi, z. Stafa e ka paditur penalisht 6-7 herë në më pak se 3 vjet kohë Dakon. Me interes është fakti se kundërshtarë të ashpër të kryeministrit Rama si psh. deputeti Blushi, edhe kur sulmojnë ndonjë ministër të Ramës e sulmojnë në funksion antiDako duke e akuzuar si në rastin Klosi si parazit e hyzmetqar të kryebashkiakut Dako.
Në një dëgjesë për projektin “Veliera” në ambientet e teatrit “Aleksandër Moisiu”, kryebashkiaku Dako u përballë me një lumë akuzash e akuzuesish njëlloj si një shahist profesionist, që në një simultane shahu përballet me një dyzinë shahistësh amatorë. Në këtë dëgjesë ra në sy qëndrimi sa luftarak aq edhe teknicien i z. Muka, këshilltar i PD-së në Këshillin bashkiak Durrës. Dueli Muka-Dako u ndoq me interes nga të pranishmit, jo vetëm për shkak të kompetencës profesionale të Mukës, përvojës së tij në biznes, por edhe se z. Muka është pinjoll i një familje tipike qytetare me vlera të spikatura intelektuale.
Shoqëria civile përdoret si çetat vullnetare të kohës së Dullës
PD-ja, meqenëse durrsakët po e ndjekin me nge dhe indiferencë përpjekjet titanike për të bllokuar “Velierën” dhe rrugën e plazhit, është detyruar të mobilizojë shoqërinë civile të Tiranës. Njëlloj si tiranasit plazhistë gjatë verës, përfaqësues të spikatur të shoqërisë civile si z. Sazan Guri, Kalaja Jr. etj. në mëngjes zbresin nga Tirana në Durrës. Më pas i fusin një protestë antiDako tek Torra Veneciane, apo një padi te gjykata lokale. Para se të kthehen për në Tiranë e mbyllin pelegrinazhin në Durrës me një drekë me peshk apo fruta deti në lokalet luksoze buzë shëtitores “Taulantia”.
Në radhët e çetës së shoqërisë civile na tërhoqi vëmendjen z. Bojaxhiu si për argumentet luftarake ashtu edhe për dashurinë e pamatë për Durrësin, mjedisin dhe arkeologjinë durrsake. Zotëria në fjalë, ndonëse kryetar i një partie politike, ndonëse kandidat për kryebashkiak kryeqyteti në zgjedhjet e shkuara, përsëri na qenka edhe pjesë e shoqërisë civile! Me një kut të tillë i bie që edhe Nano me Berishën, që të paktën nuk janë më kryetarë partie të jenë pjesë e shoqërisë civile!!! Bojaxhiu turist nga Tirana për të mbrojtur arkeologjinë durrsake realisht na habiti, kur na u betua se e donte Durrësin dhe trashëgiminë shekullore të nëntokës së Durrësit më shumë se Dako, i cili është lindur dhe rritur në Durrës, i cili të paktën deri tani e ka ndarë mendjen të dalë në pension në Durrës, i cili familjarisht banon në Durrës madje edhe bashkëshorten e ka të lindur e rritur në Durrës. Pavarësisht nga bindjet politik, çdo qytetar i Durrësit do t’i besonte më shumë një djali Shqipërie, Dakos, se sa një nipi Serbie si z. Bojaxhi! Personalisht unë midis Dako së betonit dhe Bojaxhiut të Petrolifera-s së Vlorës do të zgjidhja këtë shqiptarin e betonit, sesa sekserin e naftës së Petrolifera-s.
Kush do e fitojë “simultanen” e shahut elektoral ?!
Beteja sapo ka filluar. Deri tani d.mth. në 4-5 fushata elektorale rrjesht “formula” e fitores alla Dako ka funksionuar gjithnjë e më suksesshëm, megjithatë mbetet për t’u parë, se sa do funksionojë këtë qershor 2017. Historia sjell shembull Blitzkrieg-un, që gjerman funksionoi shkëlqyeshëm disa herë, por erdhi një moment, që përfaqësuesit më të shquar të konceptit të Luftës rrufe si Feldmarshalli Romel në El Alamejl apo gjenerali Guderian në portat e Moskës dështuan në aplikimin e këtij tipi luftimi. Në këtë betejë, Dako si kurrë më parë po ndeshet i vetëm kundër një mizërie kundërshtarësh politikë majtas e djathtas. Dihet publikisht se një battalion me njerëz paguhen nga taksapaguesit shqiptarë për t’i bërë makiazh fytyrës publike të Erionit të kryeqytetit. Për të portretizuar kryeministrin Rama si lider global një brigadë me teknicienë marrëdhëniesh me publikun me në krye “brigadier Fuga-n” punojnë ditë e natë duke arritur edhe suksese mediatike të tipit katrani zbardhëllon dhe dëbora pis e zezë. Kryebashkiaku durrsak laj-thaj ka vetëm një zëdhënës për t’u përballur me një çetë të tërë kundërshtarësh politikë dhe ustallarësh të marrëdhënieve me publikun e mediat. Qershori nuk është larg. Do rrojmë e do të shohim, nëse kryebashkiaku Dako do arrijë objektivin minimal, atë të 7 mandateve mavi për partinë e Edvin Ramës apo…





