Kryetari i Parlamentit, njëherësh edhe i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Ilir Meta, tha të mërkurën se partia e udhëhequr prej tij do të vazhdojë me koalicionin qeverisës me Partinë Socialiste.  

“Ne vazhdojmë me këtë koalicion dhe përmbushim të gjitha detyrimet dhe përgjegjësitë tona dhe kjo është kryesore, sepse çdo ditë, çdo javë që vjen të gjithë kemi përgjegjësi të mëdha për të përmbushur dhe do të bëjmë gjithçka për një klimë sa më konstruktive jo vetëm në koalicionin qeverisës por edhe për një klimë sa më konstruktive në të gjithë jetën politike të vendit dhe në parlament,” tha Meta.

Deklarata e Metës vjen pak kohë pasi liderët e opozitës më parë i kanë bërë thirrje të gjithë liderëve, përfshirë edhe Metës, të qartësojnë pozicionet e tyre.

Meta foli në përfundim të mbledhjes së kryesisë së LSI-së, ku u caktuan kryetarët e komisioneve të partisë për përgatitjen e programit para zgjedhjeve si dhe të planeve afat-mesme dhe afatgjata.

I pyetur nëse në mbledhje është diskutuar mbi koalicionin me PS-në, Meta tha se “Mbledhja nuk ka qenë shumë e gjatë…Nuk ka pasur ndonjë diskutim të veçantë për këtë çështje.”

“Zgjedhjet e 18 qershorit janë vendimtare për të ardhme evropiane të Shqipërisë. Së bashku me zbatimin e reformës në drejtësi dhe fillimin e procesit të vettingut janë jashtëzakonisht kyçe. Pra, edhe standardi i këtyre zgjedhjeve, për çeljen e negociatave për anëtarësim por njëkohësisht edhe për zbatimin e suksesshëm dhe të besueshëm të reformës në drejtësi për të ardhmen,” tha Meta.

Ai tha se dialogu është e vetmja rrugë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve. “Besoj se dialogu është e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjet që ngrihen, të cilat kanë të bëjnë me standardin e zgjedhjeve dhe për të shteruar mundësinë praktike të realizimit të garancive që kërkohen për standardet e zgjedhjeve dhe për të realizuar reformën zgjedhore, që duhej të kishte përfunduar prej kohësh. Dhe asnjëherë nuk duhet hequr dorë nga dialogu. Dialogu mazhorancë opozitë është kyç për suksesin e reformave që kemi ndërmarrë”.