Jemi mësuar ta shohim të premten në mbrëmje, me emisionin e tij “Zonë e Lirë”, por nisur që nga kjo javë, Arian Çanin do ta shohim edhe të hënave. Moderatori i famshëm është ulur edhe këtë vit në panelin e jurisë së spektaklit “Your Face Sound Familiar”, por ndryshe nga edicioni i shkuar, këtë herë përkrah tij janë të ulura dy femra të tjera joshëse e të suksesshme, Albërie Hadërgjonaj dhe Olta Gixhari.
Treshja do të gjykojë performancat e konkurrentëve të këtij spektakli, të cilat duhet thënë janë sa të këndshme aq edhe të vështira. Mbrëmjen e së hënës kemi parë personazhe e karaktere të ndryshme, çaste humori dhe emocioni, megjithatë, ajo që u komentua më së shumti ishte biseda e Arian Çanit me Shpat Kasapin.
Këngëtari erdhi në rolin e Ricky Martin, një personazh që dukej se i përshtatej më së miri karakterit të tij. Menjëherë pas performancës, Çani nisi edhe diskutimin për seksualitetin e tij, duke pyetur nëse Ricky ishte homoseksual. Situata e bëri aq shumë konfuz Shpat Kasapin, saqë u detyrua të jepte shpjegime për seksualitetin e tij.
“Unë nuk kam lidhje me meshkujt. Mua më pëlqejnë femrat”, ka thënë Shpati. Moderatori, shpjegon në këtë intervistë për “VIP Pages” se cila ishte realisht situata që e bëri këngëtarin nga Shkupi konfuz, ndërsa na tregon edhe se çfarë pret nga konkurrentët që janë këtë vit në garë.
“Arnida Gjoni më bën kurioz, sepse nuk e njoh. Pres shumë nga Herion Mustafaraj”, thotë moderatori, i cili me modesti rrëfen se në “Your Face Sound Familiar” ndihet si gjithë të tjerët, teksa vë theksin te fakti se spektakli është i Alketa Vejsiut dhe Vera Grabockës.
Këtë vit në “Your Face Sound Familiar” je në panel me dy femra joshëse si Olta Gixhari dhe Albërie Hadërgjonaj. Si ndihesh mes tyre dhe çfarë raportesh keni?
Ndihem shumë mirë. Me Albërien nuk njihem, ndërsa Gixhin e kam mikeshë të vjetër.
Çfarë mendon për konkurrentët e këtij viti? Nga cili prej tyre pret shumë?
Arnida Gjoni më bën kurioz, sepse nuk e njoh. Pres shumë nga Herion Mustafaraj (Beni ecën vetë).
Të jemi realistë, e presim nga ty spektaklin në “Your Face Sound Familiar”. Të duket një barrë e shtuar ky fakt?
Gabim e keni. Mos prisni asgjë nga unë. Spektakli është i Alketës dhe ajo e bën shumë mirë. Bashkë me Grabockën, sigurisht. Unë jam një si të tjerët aty.
E vure jo pak në siklet Shpat Kasapin për seksualitetin e tij. Ishte “keqkuptim” i qëllimshëm?
E keni keqkuptuar, sepse unë po flisja për seksualitetin e Riki Martinit…
Si arrin të mbash në maja një emision si “Zonë e Lirë” pas kaq e kaq vitesh, cili është rregulli yt numër një?
E ka një sekret, por nuk ka ardhur ende koha ta zbuloj këtë.