Elhan Kastrati është vetëm 180 minuta larg… Serisë A me Çitadelën. Gardiani shqiptar arriti të festonte para syve të Balotelit, pas kalimit në finalen e “Play-Off”-it. 24-vjeçari, u aktivizua titullar, në përballjen e kthimit ndaj Monzës, duke siguruar kështu një “biletë” për në “finalen” e madhe ndaj Venecias që do të zhvillohet me 2 takime në datat 23 dhe 27 maj.
Çitadela mposhti në sfidën e parë Monzën e Balotelit me rezultatin 3-0, ndërkohë që në përballjen e kthimit ishte skuadra e drejtuar nga Broki, që fitoi me rezultatin 2-0, por ky triumf nuk mjaftoi dhe ishte skuadra e Kastratit ajo që festoi. Vlen të theksohet se Baloteli gjeti rrugën e rrjetës në minutën 58-të. Golin e dytë për Monzën e realizoi Dalesandro në të 78-tën.Ndërkohë për sa i përket përballjes tjetër, i zhgënjyer doli nga fusha mbrojtësi i Kombëtares, Kastriot Dermaku, i cili ishte titullar në sfidën e sotme që përfundoi 1-1 (1-0 në favor të Venezia kishte përfunduar ndeshja e parë).
Elhan Kastrati u aktivizua me Teutën në sezonin 2016-2017. Kuksiani, i cili është rritur në akademinë e Teutës, qëndroi për mëse një vit si gardiani i ekipit të Djemve të Detit në kohën kur skuadra drejtohej nga tekniku Gugash Magani.
Kastrati u rikthye në merkaton e janarit 2016 tek ekipi i Teutës, në formën e huazimit nga skuadra e Peskarës. I riu u aktivizua pothuajse në të gjitha ndeshjet si titullar dhe mori lejen e skuadrës italiane, në atë kohë, në mënyrë që të vazhdojë karrierën e tij në Superioren shqiptare.
Tashmë, 24-vjeçari është një hap larg Serisë A, një stacion shumë i rëndësishëm për futbollistët shqiptarë dhe jo vetëm.





