Teksa kanë hyrë në ditën e tretë të protestës, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi edhe sot vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund kauzës për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Lideri i opozitës deklaroi se Rama përmes mediave të kapura prej tij, ka ofruar kokën e Saimir Tahirit, por opozita shtoi ai, nuk është në protestë për koka turku.
“Sot kanë ofruar përmes mediave të tyre kokën e Saimir Tahirit. Ai është peshqesh i bandave dhe krimit të organizuar. Nuk jemi këtu të pranojmë koka turku. Mbaje Saimir Tahirirn, zgjidhja është largimi yt dhe qeverisë tënde. Dëgjo zërin e qytetarëve, zgjidhu nga karrigia ku të ka lidhur krimi, hapi rrugë qeverisë teknike dhe me anë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dhe në ta mban dil dhe ndeshemi dhe e shikojmë se kush fiton. Nuk të shpëton dot nga përballja me PD-në dhe opozitën, nga përballja me qytetarët, nuk të shpëton dot as krimi dhe mediat e kapura dhe të blera. Ora e përballjes po vjen, do përballemi në meidanin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, populli do vendosë me votë të lirë”, tha Basha gjatë fjalës para protestuesve.
Basha komunikoi dhe vendimin e grupit parlamentar të PD për bojkot të Kuvendit.
“PD ka marrë një vendim dje, PD dhe grupi parlamentar do zhvillojnë aktivitetin parlamentar këtu në sheshin e lirisë. Ta harrojnë se mund të përdorin të njëjtat truke si paraardhësit”.





