Nga Andrea Danglli
Po, mos u çudisni se i tillë është!
Nëpër media qarkullon fotografia e një gazetareje, e një gruaje, e një nëne që sot u ndëshkua padrejtësisht nga kolegët.
Në tentativë për t’i shkëputur një prononcim liderit të opozitës, një egërsirë i etur për lajm i fotografoi paturpësisht të mbathurat (diçka njerëzore).
Kolegët që e publikuan e dinë shumë mirë që në atë moment ajo kishte presionin e redaktorit në kufje, presionin e personazhit që po intervistonte, presionin e turmës që brohoriste dhe në shpinë mbante hallet që ka në familje!
Me këtë trysni të ngjeshur rreth vetes nuk mund të gjykosh aq gjatë sa të mendosh se kur të përkulesh do të të duket një pjesë e fundshpinës. Në ato momente gjithçka përqendrohet te lajmi pasi ai është primari, është puna, është mbijetesa…
Ne ujqit e ndoqëm, ruajtëm momentin dhe e fotografuam në çastin më të dobët të saj. Pastaj këtë foto të pështirë ia servirëm turmës për ta gozhduar në kryq. Turma duket se u kënaq duke e shpërndarë në rrjet, komentuar, gjykuar, plagosur dhe vrarë.
Edhe pse e dinim fare mirë se në ato rrethana mund të ndodhej kushdo prej nesh, përsëri s’u kursyem! Lajmi dhe goditja kanë rëndësi më shumë se sa të shkatërrojmë një jetë.
Diku lexova me dëshpërim se si ajo përdorej në formën e kavjes për të goditur pronarin ku punon. Sa çudi!
Diku tjetër ndoqa ku shkruhej se ajo ishte pjesë e protestës. Çudi përsëri!
Diku lexova se ajo është fytyra e opozitës. Idiotësi!
Gazetaria ishte në shesh për të punuar dhe jo për të protestuar.
S’e kuptoj ku gjejmë forcën për të predikuar moral, kur jemi duke parë ndër dekada se si degradon shoqëria jonë, se si pajtohemi me të keqen, se si na kanë “përdhunuar” ëndrrat dhe idealet.
Askush nga ne nuk u mor se kush e pagoi transportin e protestuesve.
Askush nuk u mor me një analizë të mirëfilltë mbi rezultatet që do sjellë protesta.
Askush nuk u mor se çfarë objektivash reale fshihen pas saj.
Askush nuk u mor me pakënaqësitë që e shtynë atë pjesë të popullit që të dilte në shesh.
Askush nuk…
Jo, për publikun rëndësi kanë më shumë të mbathurat e një gazetareje.
Sot zgjodhëm padrejtësisht një grua, një motër, një nënë.
Ju bëj me dije se ajo ndodhet ende para kryeministrisë duke sjellë për shqiptarët lajmin që ata janë të etur ta ndjekin dhe të uritur ta paragjykojnë atë që ua servir.
Kolegia jonë është atje, në mes të shiut. Gjatë orëve të vona do shkojë të përqafojë e lodhur familjarët e saj që mezi e presin edhe paçka të mërzitur nga lajmi që qarkullon ende.
Ndërkohë, veç mendoni se si mund të ndihet teksa lexon se çfarë perlash të zeza kanë nxjerrë nga pena kolegët e saj ujqër.
Sot e shqyem atë, nesër dikë tjetër, pasnesër e ditë pas dite do na vijë radha të gjithëve…
Duke parë të sotmen, na bën mirë që të gjithë të skuqemi sado pak. Deri sa ndërgjegjja jonë të marrë këtë ngjyrë, unë do vazhdoj të brohoras me bindje:
Gazetari për gazetarin është egërsirë!
/Blitz.al/





