Autoritetet maqedonase kanë zbuluar në një rrugë që kalon përmes malit vendstehimin sekret të Josip Broz-Titos, ish-presidentit të Jugosllavisë. Një tunel nën dhe, pothuajse i padallueshëm, por i pajisur me gjithçka të nevojshme.
Vendstrehimi është gjetur në thellësi të malit “Mali i Zi” në periferi të kryeqytetit të Maqedonisë.
Deri tek strehimorja që ka qenë e pa zbuluar deri tani, shkohet nëpërmjet një shtegu të ngushtë nëpër të cilin kanë ecur vetëm dhitë, raportojnë mediat maqedonase.
Në brendësi të saj janë zbuluar korridore të gjata, dhoma me mure të bardha, tunele dhe shumë hapësira të tjera që ngjajnë me salla të mëdha.
Çuditërisht, në strehimore ka të instaluar edhe sistem të energjisë elektrike, rrjet për telefoninë fikse dhe aparat që më herët është përdorur si telegraf.
Nëpër dhoma nuk ka mobilje apo tavolina pune, por ka shenja se më herët ka pasur. Në fund të tunelit ka shkallë metalike që deri më tani nuk ka informacione se ku të çojnë.





