Grua rebele dhe kritike agresive e qeverisë, por edhe ajo, si pjesa më e madhe e mjekëve të këtij vendi, merr para nga pacientët.
Bëhet fjalë për gjinekologen e njohur Anika Dokle, vajzën e deputetit socialist Namik Dokle, të cilën gazetari Mentor Kikia e akuzon se ka marrë 200 mijë lekë të vjetër nga një mik i tij, që kishte shtruar nënën në spital dhe pikërisht mjekja Dokle i ka shërbyer e në fund ka marrë “peshqeshin”.
Kryeredaktori i lajmeve në “Top Channel”, ka një mesazh për Anika Doklen, dhe të gjithë at që sipas tij, veprojnë njësoj në këtë sistem shëndetësor: Të mos bëjnë moral, e nga ana tjetër, u marrin para qytetarëve për shërbimet mjekësore.
Statusi i Mentor Kikisë:
“Të paktën ju që fusni duart në xhepat e pacientëve, mos bëni moral
Kam ndjekur këto dy ditë zemërimin e shumë njerëzve kundër mjekëve në maternitetin “Koço Glozheni” për shkak të vdekjes së një gruaje shtatzënë. Mes atyre të zemëruarve ishte edhe një mjeke e këtij spitali, një grua rebele dhe kritike agresive e qeverisë, Anika Dokle. E kam vlerësuar për kurajën për të thënë të vërtetën me zë të fortë, shpesh edhe pa edukatë, ashtu siç e meritojnë edhe njerëzit dhe koha në të cilën po jetojmë.
Por më lë një shije shumë të hidhur kur lexoj rebelimin e kësaj mjekeje. Pak ditë më parë një njeriu im i dha 200 mijë lekë (të vjetër) për një operacion të thjeshtë të nënës.Më pyeti mua për mend: Ti them për para apo jo?
Jo – i thashë. Nuk mund të të marrë para ajo. Por meqë e ke merak, thuaja sa për procedurë.
Dhe kjo mjekja e bëri procedurën, ia mori paratë edhe duke i numëruar.
Tani ne e dimë se të gjithë bëjnë kështu. Por të paktën ju që fusni duart në xhepat e atyre, që edhe vdesin aty, mos bëni moral”.
Anika Dokle është gjinekologe pranë maternitetit “Koço Gliozheni”, ku 4 ditë më parë humbi jetën një nënë 35-vjeçare shtatzënë së bashku me foshnjën e saj 9-muajsh në bark. Dy mjekë dhe një infermiere të këtij spitali janë akuzuar për këtë rast, ndërkohë që Anika Dokle u ka dalë në mbrojtje.





