Rreth orës 21:50 të mbrëmjes së të dielës, në plazhin Bunec të Himarës ka ndodhur një konflikt midis një çifti shqiptar dhe një çifti gjerman, për vendparkimin e një kamperi.
Kur policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ka rezultuar se dy bashkëshortë shqiptarë janë konfliktuar fizikisht me dy bashkëshortë me banim në Gjermani, shtetasit J.C., 61 vjeç dhe C.C., 59 vjeçe.
Në konflikt e sipër, çifti shqiptar ka dëmtuar lehtë shtetasin gjerman J.C., dhe më pas janë larguar me shpejtësi duke përfituar nga errësira.
Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të pagesës së parkimit të automjetit gjerman “Rulot”, tarifë e cila është kërkuar nga ana e çiftit shqiptar duke mos qenë pronarë të vendit.
Policia e Vlorës në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Himarë janë vënë ndjekje të çiftit shqiptar dhe ka bërë të mundur kapjen e tyre më pas në aksin rrugor Himarë – Vlorë pranë Orikumit.
Policia ka identifikuar personat e dyshuar si L.S., 41 vjeç dhe D.N., 28 vjeçe, të cilët po udhëtonin drejt qytetit të Vlorës me automjetin e tyre tip “Benz”.
Këta shtetas janë shoqëruar drejt Stacionit të Policisë Himarë për veprime të mëtejshme në lidhje me ngjarjen.





