Mançester Junajtid i drejtuar nga Zhoze Murinjo duket se e ka humbur qetësinë psikologjike pas humbjes në derbi javën e kaluar. Pas një nisjeje të shkëlqyer që i bënë sezonit duke fituar Superkupën e Anglisë dhe 3 ndeshjet e para në kampionat, humbja në derbin kundër Mançester Sitit e ka futur United në një krizë rezultatesh sepse në mesjavë u mposhtën nga Fejenord në Ligën e Europës ndërsa sot u mposhtën në kampionat në tranfertë me Uatfordin.
Uatford fitoi takimin e vlefshëm për javën e 5-të të Premier Ligës me rezultatin 3-1 dhe kjo ishte fitorja e parë në histori për ta në një ndeshje kundër United në kampionat. Vendasit kaluan të parët në avantazh në minutën e 34-t duke shkuar në fund të pjesës së parë në dhomat e zhveshjes në epërsi.Në pjesën e dytë ishte Rashford që arriti të barazonte përkohësisht shifrat në minutën e 62-të, por në të 83-tën, i sapofuturi në fushë Zuniga kaloi ekipin e tij sërish në avantazh. Në minutën e 5-të shtesë, Dinej shndërroi në gol një penallti duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-1.Pas kësaj jave, Junajtid numëron 9 pikë dhe renditet në vend të 6, ndërsa Uatford ka grumbulluar 7 pikë dhe renditet në vend të 9.





