Si kurrë më parë, paraditen e sotme qytetarët e Durrësit kanë patur mundësinë që të shikojnë nga afër armatimet që përdor NATO, nga më të lehtat deri te më të sofistikuarat në shesh të hapur.
Ekspozita ushtarake “OpenDay” u zhvillua në sheshin “Liria” në kuadër të stërvitjes “Defender 21” mes trupave amerikane dhe atyre shqiptare.
Në këtë aktivitet merrnin pjesë Shefi i shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral major Bajram Begaj, drejtuesi igrupit CIMIC të SHBA, kapiteni Patrick Pasquet, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako si dhe prefekti Roland Nasto.
Në ekspozitën ushtarake u ekspozuan trupa, mjete dhe pajisje moderne të NATO-s, kryesisht të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë si dhe të ushtrisë amerikane.
Qytetarët prekën nga afër armët e kalibreve të ndryshme, prej pistoletave, armëve automatike, kallashnikov, snajper, etj.. Gjithashtu, në shesh u demostrua edhe dhënia e ndihmës së shpejtë në rast të një sulmi ku ka edhe persona të plagosur.





