Sot starton kampionati i ri kombëtar i futbollit, Kategoria Superiore. Topi nis të lëvizë për skuadrat elitare shqiptare, të cilat kanë pasur mjaft kohë për t’u riorganizuar, përforcuar dhe përgatitur. Nga pesë ndeshje të javës së parë, do të luhen katër prej tyre. Dueli Vllaznia-Kukësi është shtyrë për nesër, nisur nga fakti se i duhej të paktën më shumë se një ditë stadiumit “Loro Boriçi” të “merrte veten”, pas ndeshjes së “dyfishtë” të kombëtares me Maqedoninë.
Pra, sfida përmbyllëse e “stacionit” të parë të garës do të jetë ajo mes Vllaznisë dhe Kukësit, që do të luhet në orën 19:00. Në anën tjetër, ndeshja hapëse e kampionatit të ri do të luhet në një stadium asnjanës, pa tifozë, në “Selman Stermasi”. Aty ka marrë “shtëpi me qira” Korabi, për t’i luajtur ballafaqimet si pritës. Sot, në orën 16:00, në këtë impiant sportiv, do të luajnë dibranët debutues në Superiore kundër Laçit. Në fakt, nisur nga numri i madh i lojtarëve që Korabi ka marrë nga kurbinasit, duket si një “përplasje brenda familjes”.
Tri ndeshje të tjera do të luhen sonte, nga ora 19:00. Në “Elbasan Arena”, ku do të jetë si pritës Partizani, derisa të bëjë stadiumin dhe kompleksin e vet, do të jenë mysafirë gjirokastritët. Edhe ata, si dibranët, janë debutues në Superiore. Të kuqtë e Sormanit e kanë me “detyrim-përcaktim” fitimin e titullit në këtë edicion, çka është një objektiv i panegociuar nga presidenti Demi, ndërsa Luftëtari synon mbijetesën. Kampionët në fuqi luajnë në shtëpi.
Drejt Korçës ka udhëtuar Flamurtari, i cili vijon të notojë në ujëra të turbullta. Problemet financiare kanë ngritur sërish krye te kuqezinjtë, që sot do të dëshmohen se sa ia ka vlejtur ndryshimi tërësor në grupin e lojtarëve dhe drejtimin teknik. Po ashtu, Skënderbeu do të kërkojë t’u japë sinjal të qartë rivalëve se nuk do të dorëzohet për mbrojtjen e kurorës së titullit.
Në Durrës do të luhet ballafaqimi Teuta-Tirana. Dy skuadra që kanë lëvizur pa shumë bujë në merkaton e kësaj vere, megjithatë janë përforcuar. Sidomos bardheblutë, që u duhet të ngrihet në lartësinë e emrit, e kanë të nevojshme një start me fitore. Sidoqoftë, këtë do ta tregojë fusha e lojës, ashtu si në stadiumet e tjera.





