Banorët e kompleksit Jedas kanë protestuar paraditen e sotme para bashkisë Durrës, pasi ende nuk ka nisur puna për riforcimin e kompleksit shumëkatësh, megjithëse ishte ndër të parat godina me dëme DS4 që u fut në listën e objekteve që do të riforcohen. 

Sipas banorëve, të tre kompanitë që kanë fituar tenderin për të riforcuar këtë kompleks, janë tërhequr nga projekti dhe shkak është siguria që nuk mund të garantohet në këtë kompleks.

“Gjatë fushatës erdhi kryetarja e bashkisë dhe kryeministri, ndërsa tani nuk bëhet asnjë gjë. Për kompleksin janë bërë vetëm studime në kompjuter, por se kush e ka parë nga afër pallatin. Të gjithë të huajt kur erdhën kanë thënë se nëse ky pallat nuk shihet me imtësi në 5 katet e para, nuk mund të bëhet një projekt.”

Tërmeti i 26 nëntorit bëri që 240 familje të këtij kompleksi të mbeten pa shtëpi, ndonëse ishte një ndër komplekset më të reja të ndërtuara në qytetit e Durrësit. Një vit e gjysmë pas tërmetit dhe banorët enden nëpër banesa të tjera me qira, ndërsa riparimi i apartamenteve të tyre duket i largët në kohë.

Sipas pretendimeve të banorëve, kompanitë e ndërtimit që kanë fituar tenderin përkatës u kanë thënë në mënyrë konfidenciale se do të tërhiqen nga gara, pasi fondi i vendosur në dispozicion nuk mjafton për të riforcuar dëmet që ka pallati.

Pas takimit që një grup banorësh zhvilloi me kryebashkiaken Sako atyre u është thënë se asnjë shkresë zyrtare nuk ka ardhur në bashki nga kompanitë, të cilat duan të tërhiqen nga tenderi. Deri në atë moment duhet të presin dhe më pas të rihapen gara. Kryetarja e bashkisë, sipas banorëve mësohet të ketë thënë se fondi i vënë në dispozicion nga Ministria e Rindërtimit për riforcimin e këtij pallati nuk do të ndryshojë.