Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ ka pranuar kërkesën e LSI dhe ka vendosur sot të rinumërohen 114 kutitë e qarkut Beratit për të cilat ka pretendime se ka pasur shkelje.

Kutitë pritet që të hapen sot në orën 14:00, dhe do të rinumërohen vetëm votat që janë hedhur për subjektet dhe jo për kandidatët. Gjatë diskutimeve të sotme në KAS, LSI kërkoi rinumërimin në të gjithë qarkun, kërkesë e mbështetur dhe nga PD, teksa edhe PS ra dakord për rinumërimin, por vetëm të kutive të ankimuara.

Dje, KAS rrëzoi kërkesat e PD dhe LSI për rivotim dhe rinumërim në qarkun e Gjirokastrës dhe për përsëritjen e zgjedhjeve në Berat pas pretendimve se disa votues kishin vendosur shenjat e gishtave për më shumë se 1 herë. KAS i quajti si të pamjaftueshme denoncimet e partive opozitare për shkelje në procesin e votimit dhe në pajisjen e PEI. PD dhe LSI kanë ankimuar rezultatin e zgjedhjeve në 9 qarqe, në 5 nga të cilat, LSI ndryshe nga PD kërkon rivlerësim dhe rinumërim.