Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ po shqyrton kërkesën e dytë ankimore të LSI-së për qarkun Beratit për rinumërim të votave.

Përfaqësuesi i LSI-së, Altin Kayiaj shprehet se ka prova video ku faktohet manipulimi në zgjedhjet e 25 prillit që mund të çojnë në hapjen e kutive të votimit.

“Ato vota nuk mund të rrinë në 0, ne duam të hapim të gjitha votat, edhe ato të kandidatëve edhe për subjektet, të hapen e të rinumërohen. Do na duhej pak kohë por sa i referohemi tabelës, të mbështeteshim tek kjo tabelë dhe në vijim të vijohej në të gjithë qarkun Berat”, tha përfaqësuesi i LSI-së në KAS.

Ndërkohë që në reagimin e tij, përfaqësuesi i PS-së në KAS, Eridian Salianji tha se është dakord që të hapen kutitë e kërkuara por rezultati nuk ndryshon.

“Për ne në PS, i rëndësishëm është procesi. Biem dakord që të hapen kutitë e kërkuara në kërkesën ankimore, pavarësisht se jemi të bindur se rezultati nuk ndryshon”, tha Salianji.

Një ditë më parë KAS  vendosi me shumicë votash të anëtarëve që të rrëzojë kërkesat e PD dhe LSI për shpallje pavlefshmërie në Berat dhe Gjirokastër.

Në lidhje me ankimimet për qarkun e Beratit administrata e KQZ shqyrtoi materialet zgjedhore për 24 kuti për këtë qark, për të gjetur parregullsi me kërkesë  të LSI-së.

KAS vendosi një ditë më parë se rezultati i votimit më 25 prill për qarkun e Gjirokastrës mbetet ai i shpallur nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, KAS është mbledhur sot për të marrë vendim për rinumërimin e votave për Beratin dhe më pas do të vijojë ankimin për qarkun e Vlorës.