Sot paradite në sallën e konferencave të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, u zhvillua seminari mbi eksperiencën e fituar dhe mësimet e nxjerra nga finalizimi i projektit “Menaxhimi i ndotjes detare dhe bregdetare, për rritjen e sigurisë në det dhe porte, në përputhje me ligjin dhe politikën detare të BE”. Projekti që ka filluar në vitin 2018, u zbatua nga UNDP Albania, me financim të qeverisë kroate. Në kuadër të projektit u zhvilluan trajnime gjithëpërfshirëse, me pjesëmarrje nga specialistët dhe strukturat përgjegjëse, konkretisht: përfaqësues dhe specialistë të mjedisit dhe sigurisë detare në Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës (MIE), në Ministrinë e Mjedisit, specialistë të mjedisit në portet e Durrësit, Vlorës, Sarandës, Shëngjin, Petrolifera Vlora, Porto Romano, të QNOD, të Drejtorisë së Përgjithshme Detare, Prefekturave të Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Tiranës, Vlorës dhe Fierit dhe Komandës së Forcës Detare.
Mbështetja dhe interesi për këto trajnime u shpreh dhe me prezencën e vazhdueshme të përfaqësuesve të Republikës së Kroacisë në Shqipëri.
Në aktivitetin e sotëm morën pjesë ambasadori i republikës kroate, zoti, Zlatko Kramaric, Zonja Limya Eltayeb, UNDP Resident Representative, Prof. Dr. Kseanela Sotirovski, Rektore e UAMD, specialistë të UNDP Albania, pedagogë dhe studentë të UAMD, etj.
Në fjalën e tyre përshëndetëse, personalitetet e mësipërme e vlerësuan rolin dhe rëndësinë e këtij projekti për mjedisin detar në vendin tonë. Masat dhe aktivitetet që u realizuan në kuadër të këtij projekti ishin një eksperiencë e vecantë. Gjithashtu dhe objektivat që u caktuan ishin ambiciozë, por i shërbyen më së miri ekspertizës shkencore për rrezikshmërinë e derdhjes së naftës dhe substancave të ngurta në hapësirën tonë detare, vecanërisht në portet e vendit tonë. Këtu me theks të vecantë u trajtua roli, bashkëpunimi dhe ndikimi i strukturave shtetërore në përballimin e emergjencave detare gjatë ndotjeve nga nafta e vajrat. Nga ana tjetër, përvoja e fituar dhe mësimet e nxjerra, sigurojnë argumenta dhe një bazë të shëndoshë për të rishikuar dhe përmirësuar procesin e Planit Kombëtar të Emergjencave në vendin tonë, kryesisht për pjesën e ndotjes detare dhe masave të THV.
Një tregues i qartë i këtij projekti është se, rreth 40 specialistë të strukturave tona detare e mjedisore morën njohuritë e nevojëshme se, si mund të përballohen situate të ndotjes nga nafta në det. Në mbyllje të aktivitetit Zonja Elita Kabashi, shpejgoi me hollësi të gjitha fazat e projektit dhe rëndësinë e tyre.
Gjatë takimit u theksua se projekte të tilla kanë vlera të gjithanshme jo vetëm për mjedisin detar, por dhe për ekonominë dhe turizmin në vendin tonë.
Sh.K.





