Gjenden në Elbasan tre vajzat e mitura nga Pogradeci . Policia bën me dije se tre të miturat (dy prej të cila motra), nga fshati Selcë e Poshtme-Pogradec, janë paraqitur vetë në Komisariatin e Elbasanit rreth orës 19:00 të pasdites së sotme, pas denoncimit të bërë publik në media për zhdukjen e tyre.

Mësohet se motrat B.Ç. 16 vjeç dhe L.Ç. 14 vjeçe, shkonin e flinin te fqinja e tyre A.B. 16 vjeçe në fshatin Selcë e Poshtme.

Edhe më 26 gusht dy vajzat kishin shkuar të flinin tek shtëpia e shoqes së tyre e cila i kishte prindërit në Greqi.

Mirëpo, mëngjesin e sotëm ata nuk janë kthyer në shtëpi dhe nuk janë gjetur as në banesën e fqinjës, duke alarmuar kështu familjarët e tyre.

I ati ka bërë denoncimin dhe efektivët e policisë u nisën menjëherë drejt fshatit për të gjetur vajzat, teksa u ushtruan kontrolle dhe në banesat e personave të dyshuar ku mendohej se mund të kishin shkuar vajzat.