Një fuoristradë tip “Benz ML” ka përplasur një automjet të vogël duke lënë të plagosur dy persona nga Durrësi.

Aksidenti është regjistruar në qytetin e Durrësit një ditë më parë në lagjen nr. 17, në segmentin rrugor Mbikalimi i Serave-Rrethrrotullimi i Milicëve.

Policia bën me dije se shtetasi Ilir Tabaku, banues në Durrës, duke drejtuar mjetin “Benz ML” me targa AA 757 CC, është përplasur me mjetin tip “Ford Fiesta”, me targa AA 982 BD, me drejtues shtetasin E. D., 21 vjeç.

Nga përplasja mes dy makinave, bëhet e ditur se është aksidentuar 21-vjeçari që drejtonte “Ford Fiesta”-n, si dhe një 49-vjeçare me inicialet M. Ç., që ndodhej pasagjere në mjetin tip “Benz”.

Sipas burimeve zyrtare, 21-vjeçari ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë nën kujdesin e mjekëve, ndërsa e aksidentuara tjetër në Spitalin Rajonal Durrës, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Pas aksidentit, blutë e Durrësit arrestuan 53-vjeçarin Ilir Tabaku (Çelmeta), ndërsa ndaj 21-vjeçarit filloi procedimi penal në gjendje të lirë.