. Përpunohen 3 mjete lundruese me 14 mijë tonë mallra dhe një me 500 copë kontejnerë
· Priten të mbërrijnë edhe 7 anije, dy prej të cilave me 309 copë kontejnerë dhe 5 të tjera me 20 332 tonë mallra të ndryshme
Mediet ndërkombëtare të transportit detar, përjashto ato turke, që janë nën censurë për të ruajtur reputacionin e ngushticës Deti i Zi-Deti Egje, njoftojnë se në pasditen e 23 gushtit 2016, në ngushticën e Dardaneleve, janë përplasur anija për transport mallrash gjenerale “Guler” (tonazhi 2 421 tonë, në foto) dhe transportuesi i mallrave rinfuzo “Piri Reis” (tonazhi 28 515 tonë).
Të dy anijet po lundronin në drejtim të jugut, por, për shkak të mungesës së komunikimit dhe shkeljes së konventës “ColReg” [International Regulations for Preventing Collisions at Sea – Rregulloret Ndërkombëtare për parandalimin e përplasjeve në det 1972], u përplasën në afërsi të Erenkoj-it të provincës turke të Çanakalasë. Anijet pësuan dëmtime në pjesën nënujore, por pa rrezikuar fundosjen. Incidenti u është raportuar autoriteteve lokale dhe anijet u urdhëruan të hidhnin spirancat në portin e Erenkoj-it për riparime të mëtejshme dhe kontroll të veçantë. Për fat të mirë, gjatë aksidentit nuk ka pasur të plagosur dhe ndotje ujërash.
Pas hetimit për shkaqet e aksidentit, anijet rifilluan lundrimin. “Guler”-i me 1 956 tonë lidhje hekuri, më 26 gusht 2016, ishte rrugës për në Durrës, në detin Egje, në juglindje të Greqisë dhe parashikohet të mbërrijë më 28 gusht 2016, për t’u shkarkuar në kalatën nr. 1. Transportuesi i mallrave rinfuzo “Piri Reis”, i nisur nga porti ukrainas i Nikolajevit, po shkon drejt Libisë.
Ndërkaq, sipas dispeçerisë së drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të personit juridik publik Autoriteti Portual Durrës (APD), të premten, më 26 gusht 2016, në port po shkarkoheshin 3 anije me mallra të ndryshme (në kalatën nr. 11 ndodhet “Queen Zein” me 7 300 tonë skrap për llogari të kompanisë metalurgjike turke të Elbasanit “Kurum”; në kalatën nr. 5 “Uzeyir Hajibeyli” me 5001 grurë dhe po në kalatën nr. 5 “Frojdi III” me 1 727 tonë lidhje hekuri), gjithsej mbi 14 mijë tonë. Në kalatën nr. 6 të Terminalit të Kontejnerëve DCT anija “Max Carrier”po ngarkonte 500 copë kontejnerë.
Po sipas të njëjtit burim zyrtar, përveç anijes “Gyler”, priten të mbërrijnë edhe 6 të tjera, 2 prej të cilave me 309 copë kontejnerë për shkarkim. Anija “Red Jacket” do të shkarkojë 4 599 tonë tuba çeliku; “Angela” me 4 749 tonë ure; “Abdul M” 6 103 tonë kripë dhe “Donnmaster Spirit” me 2 925 tonë grurë kështu bashkë me “Guler”-in do të shkarkohen gjithsej 20 332 tonë.





