Një furgon i bardhë mallrash u bllokua pasditen e sotme në portin e Durrësit, ku policia sekuestroi rreth 1.000.000 paund që vinin nga Britania e Madhe dhe transportoheshin nga një shofer shqiptar. Policia ndaloi shoferin e furgonit, Olsi Sefolli.
Sasia e parave u zbulua gjatë një kontrolli rutinë, ndërsa ishte fshehur në dyshemenë e furgonit. Policia kishte paraprakisht sinjalizime se në furgon ndodhej një sasi e konsiderueshme parash.
Në deklaratën e parë të dhënë për policinë, Ismaili është shprehur se nuk ka lidhje me paratë e sekuestruara dhe se kryen vetëm transportin e mallrave. Furgoni ku u kap sasia rekord e parave, vinte nga Porti i Ankonës dhe mbërriti në Portin e Durrësit, ditën e sotme në orën 12.00. Ndërkohë deri tani policia e Durrësit nuk ka dalë ende me një njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen.
Mësohet se furgoni mblidhte pako nëpër qytete të ndryshme të Anglisë dhe i sillte në vendin tonë duke shërbyer si postë private mes emigrantëve shqiptarë dhe familjeve të tyre në Angli.





