Një 20-vjeçar nga Lushnja është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se prej disa muajsh përndiqte një vajzë 19 vjeçe, së cilës i kishte vjedhur edhe adresën e profilit të saj në Facebook.
Burime nga Policia thanë se i arrestuari është shtetasi Daniel Xhepa, pasi ishte denoncuar disa ditë më parë nga vajza lushnjare, me banim në kryeqytet. I riu e kërcënonte vajzën me iniciale O.K., se do vijonte të hapte profile false me emrin e saj në Facebook.
Në fakt, kështu kishte vepruar, pasi në disa profile në rrjete të ndryshme sociale, ai kishte postuar fotografi dhe biseda që vajza bënte me mesazhe me persona të ndryshëm. Këto foto dhe biseda ai i kishte marrë nga profili i vajzës, pasi kishte arritur t’i vidhte fjalëkalimin.
Ndërsa në disa raste ai shkruante edhe komente fyese e denigruese në emër të 19-vjeçares, në formë hakmarrjeje pas refuzimeve të saj të vazhdueshme, për të pasur një lidhje dashurie bashkë.
Disa ditë më parë, e shoqëruar nga e ëma, shtetasja O.K. ka bërë denoncim në zyrën e Seksionit për Krimet Kompjuterike në Policinë e Tiranës dhe menjëherë kanë nisur hetimet.
Policia tha se ndaj 20-vjeçarit Daniel Xhepa, tashmë i arrestuar, janë ngritur akuzat e “falsifikimit kompjuterik”, “përndjekjes” dhe “ndërhyrjes së padrejtë në jetën private”.





