Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, dhe ambasadori i Bashkimit Evropian Luigi Soreca ishin të pranishëm sot në portin e peshkimit në Durrës, ku u mbajt aktiviteti për shpalljen e thirrjes së dytë të skemës së granteve për modernizimin e anijeve të peshkimit, e financuar nga Bashkimi Europian në kuadër të programit IPA – 2016 “Mbështetje për sektorin e peshkimit”.
Vlera e kësaj mbështetjeje është 1.4 milion € e cila duke financuar 50% të investimit, çon investimet në bordin e anijeve të peshkimit në 2.8 milion €.
Në thirjen e parë (15 dhjetor deri më 31 janar) 2021 u kualifikuan 65 anije peshkimi dhe do të financohen nga ky projekt rreth 650 000 € për një investim në vlerë totale prej 1.3 milion €.
Projekti synon dhënien e asistencës teknike për administratën e peshkimit dhe mbështetje financiare për modernizimin e anijeve të peshkimit. Në fjalën e saj, ministrja Ekonomi theksoi se “në buxhetin afatmesëm të qeverisë Rama po planifikohet një skemë mbështetjeje për sektorin e peshkimit për të gjitha anijet që duan të transformohen për të qenë më të zonja dhe më të afta për të peshkuar si në ujërat kombëtare ashtu dhe në ato ndërkombëtare. Prandaj nuk është çudi që BE është karshi nesh në të gjitha këto iniciativa”.
Aplikimet për thirrjen e dytë do të kryhen gjatë periudhës 20 Maj – 5 Korrik dhe përvec kritereve të njohura, është zgjeruar baza e anijeve përfituese, duke përfshirë si anijet mbi 10 m gjatësi ashtu dhe ato që ushtrojnë peshkim me rrethim (me koshilok) për pelagjikët e vegjel, sardele e acuge.
Ambasadori i BE-së Luigi Soreca vlerësoi skemën e granteve për sektorin e peshkimit.
“Është e rëndësishme që ne të angazhohemi me të gjithë aktorët në këtë sektor, me ju në veçanti në mënyrë që të bëjmë të pamundurën që këtyre rreziqeve t’u paraprihet në të ardhmen. Prandaj roli juaj do të jetë kyç dhe për këtë arsye ne me kënaqësi po e lançojmë këtu thirrjen e dytë dhe në fakt ju bëjmë thirrje të gjithëve ju që të merrni pjesë sa më shumë dhe të përfitoni sa më shumë prej saj”,- u tha Soreca përfaqësuesve të sektorit të peshkimit, që morën pjesë në këtë takim.
M.B.





