Në komunat e vogla vijon ende gërmimi. Prindër gërmojnë me duar. Nënat ulërasin dhe gërmojnë për të gjetur një tjetër fëmijë nën gërmadha.

Vdes vogëlushja 18 muajshe, nëna 7 vite më parë i shpëtoi tërmetit në Aquila

Flinte në krevatin e saj në shtëpinë e pushimit në Arquata del Tronto, por tërmeti ia mori jetën që e nisi vetëm 18 muaj më parë. Marisol Permarini ishte vetëm 18 muajshe. Vdiq në tërmetin e sotëm nga rrëzimi i shtëpisë, ku ndodhej së bashku me babain Massimiliano dhe nënën Martina Truco. Prindërit shpëtuan dhe ndodhen në spital, por gjendja e tyre psikologjike është tepër e rëndë. Nëna e Marisol ishte larguar pas 7 vite më parë nga Aquila, qyteti i saj për shkak të tërmetit. Ajo vendosi të transferohej në Ascoli pas asaj eksperience të tmerrshme në Aquila, por një tjetër tërmet i mori përgjithmonë vajzën e saj të vogël.

Tragjedi në një familje të tërë

Në Accumoli shuhet një familje e tërë. Të sinjalizuar nga lehjet e qenve, ndihma e shpejtë mbërrin dhe nxjerr nga rrënojat një fëmijë 8 muajsh, por i vogli vdes në makinën e ambulancës. Pak minuta kërkime dhe ndihma e shpejtë zbulon të pajetë prindërit e fëmijës 8 vjec. Trupat e pajetë u gjendën të përqafuar në krevat. Nuk mbaron këtu. Pas gërmimit, në dritë del dhe trupi i vëllait 8 vjecar të foshnjës 8 muajshe. Nuk mbeti gjë për të bërë veçse të transportohej një familje e tërë me ambulancë drejt morgut.

Binjakët 6 vjec

Në Amatrice fati tragjik ndjek dhe dy binjakë, vetëm 6 vjec. Simone u nxorr i gjallë, por në gjendje të rëndë, dhe pak minuta më pas dhe i vëllai, por i pajetë. Në një zonë të Pescara del Tronto, e shkatërruar tërësisht vdesin dhe dy fëmijë nga Roma. Një burrë ndërkaq u hodh nga dritarja me vajzën në krahë, dhe fatmirësisht shpëtuan. Një tjetër fëmijë vdiq në Sommati, zonë e Amatrice.
“Këtu, pikërisht këtu ishin disa persona që kishin ardhur nga Rieti. Ishin këtu për pushime. Ishin dhe 2 vajza 12-14 vjec. Do të niseshin javën tjetër, bashkë me prindërit dhe gjyshërit. Vajzat ishin të vetmet që shpëtuan, por humbën prindërit dhe gjyshërit”, thotë Giuseppina Campesi, banore në Amatrice.