Sigurimi i detyrueshëm i makinave, TPL tashmë do të kushtojë deri në 25% më shtrenjtë. Shoqëritë e sigurimeve duke filluar nga dita e sotme i kanë shitur policat TPL me një çmim të ri, mesatarisht në 18,500 lekë.

 

 

 

 

 

Ja ndryshimet kryesore të tarifave TPL:

Kategoria                                              Ishte           Bëhet

A1/1 (Motocikleta nën 150cm3)      5,660 lek     6,804 lek
A1/2 (Motocikleta mbi 150cm3)      8,660 lek    10,405 lek

Autovetura

Deri 1,600cm3:                                                    Ishte             Bëhet
B1/1.1 (Mjete të prodhuara para 2006-s)        15,260 lek      17,724 lek
B1/ 1.2 (Mjete të prodhuara pas 2006-s)         14,760 lek      18,324 lek

1,600 deri 2,500cm3                                              Ishte            Bëhet
B1/2.1 (Mjete të prodhuara para 2006-s)         15,860 lek      19,044 lek
B1/2.2 (Mjete të prodhuara pas 2006-s)           15,360 lek      18,460 lek

Burimi: Shoqëritë e sigurimeve

Kjo rritje e çmimeve sipas drejtuesve të kompanisë së Jo-Jetës erdhi për disa arsye.

E para ka të bëjë me reflektimin e vendimit të AMF-së, se primi i riskut nuk duhet të jetë më i ulët se 100 euro, çka do të thotë se nuk mund të shiten polica nën këtë vlerë. Sipas shoqërive të sigurimit, nga bilanci i të dhënave të gjashtëmujorit rezultoi se primi i riskut ishte mbi 100 euro.

E dyta, sipas drejtuesve të shoqërive të sigurimit, shkak për rritjen e tarifave janë aksidentet e shumta automobilistike që kanë ndodhur kohët e fundit e që kanë bërë që të rritet ekspozimi kundrejt këtyre rreziqeve.

E treta, sipas tyre, tarifa e re reflekton edhe rritjen e taksës së sigurimeve që hyri në fuqi në janar të 2016-ës.
Në paketën e re fiskale 2016, taksa kombëtare nga 3% u rrit në 10%. Shoqëritë e sigurimit shpjeguan se nuk e reflektuan këtë ndryshim te primi i shkruar bruto për produktet TPL në 6 mujorin e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave të AMF-së, produkti TPL e brendshme, në periudhën janar – qershor 2016, pati një rritje prej 4.10% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 5.20% krahasuar me periudhën janar – qershor 2016.

Pavarësish kësaj rritje, Shqipëria ende ka nivelin më të ulët mesatar të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik në rajon. /MONITOR