Brazili thyen mallkimin dhe fiton titullin e parë olimpik në histori, në futboll. Seleçao fitoi 5-4 me penallti përballë Gjermanisë, ndërsa koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1.Finalja në Maracana u mbyll mes lotëve të gëzimit për brazilianët, me Neymar që e kishte të vështirë të kontrollonte emocionet dhe atyre të zhgënjimit për gjermanët. Neymar hapi serinë e golave me një ekzekutim perfekt nga goditje standarde, në minutën e 27 të sfidës. Festa e ngjashme me atë të Usain Bolt u vlerësua edhe nga njeriu më i shpejtë në histori, që ishte i pranishëm në tribunë.Megjithatë gjermanët nuk u dorëzuan dhe pak përpara se kronometri të tregonte një orë lojë barazuan shifrat me Meyer. Rezultati 1-1 nuk ndryshoi as në kohën shtesë, ndërsa në ekzekutimin e penalltive portieri Weverton neutralizoi ekzekutimin e fundit të Petersen dhe Neymar realizoi golin fitues.Menjëherë pas vulosi suksesin ylli i Barcelonës tha se “pavarësisht kritikave të shumta Brazili u përgjigj duke luajtur futboll”, ndërsa dha edhe lajmërimin surprizë: “Bisedova me familjen dhe vendosa: nga sot nuk do të jem më kapiten i Kombëtares”.Pavarësisht këtij vendimi, i gjithë Brazili festoi, për një triumf që e priste prej kohësh. Në tetë edicionet e fundit të Lojërave Olimpike, “Seleçao” kishte humbur tre herë në finale dhe dy në gjysmëfinale. Për Brazilin ndryshoi edhe historia në Olimpiada, pasi medalja e artë në futboll ishte e gjashtë për amerikano-jugorët, që regjistruan rezultatin më të mirë në histori. Në finalen për vendin e tretë, Nigeria fitoi 3-2 përballë Hondurasit, duke marrë medaljen e bronzit. Kjo është medalja e tretë olimpike në histori për ekipin afrikan, pas arit në Atlanta 1996 dhe argjendit në Pekin 2008.